Nebil ÇIKA

Libri është një përmbledhje bisedash televizive, të realizuara me ish të persekutuar politikë, protagonistë, vuajtës dhe dëshmitarë të këtij persekutimi. Ky botim është diçka e veçantë në kolanën e librave të kujtesës, duke dëshmuar fatet e  njeriut shqiptar dhe të vendit në diktaturë.

Ndërkaq, ai sjell dukuri të qëndresës antikomuniste, njëkohësisht edhe njerëzore e morale dhe përmes kësaj qëndrese, gjithë mënyrën e funksionimit të dikaturës dhe strategjisë së saj të shtypjes, denigrimit dhe shkatërrimit fizik e moral të asaj klase, të cilën ai pushtet e konsideronte si kundërshtare politike.

Përmes përvojës së tyre, të intervistuarit rishkruajnë ditarin e disa prej momenteve më të bujshme dhe domethënëse për profilin e diktaturës, të tilla si: revolta e Qafë Barit, masakra komuniste e Vlorës, Konferenca e Pezës, Revolta e Spaçit, Festivali i 11-të dhe pasojat e tij, Kampi i Tepelenës, inkuizicioni ndaj klerit, Gjyqi Special, etj.