Thirrje për prezantime për konferencën ndërkombëtare:
Reformat komuniste në ekonomi: ligjshmëria, rezultatet dhe pasojat, 1945-1990
Marrja e pushtetit nga komunistët (nëntor 1944), solli ndryshime të mëdha në shumë drejtime. Në fushën e ekonomisë, shteti bëri ndërhyrje të thella, duke ndikuar në formën e organizimit të ekonomisë në tërësi dhe të degëve të saj në veçanti, si në bujqësi, industri, shërbime, etj. Rezultati përfundimtar i ndërhyrjeve të shtetit në ekonomi, ishte zhdukja e pronës private, me pretendimin e kthimit të saj në pronë kolektive ose shtetërore.
Nisur nga një tematikë e gjerë dhe e trajtuar në mënyrë të pjesshme nga studimet historike,
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri do të organizojë konferencën ndërkombëtare “Reformat në ekonomi dhe ligjshmëria e tyre gjatë regjimit komunist, 1945-1990”, ku studiues të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj, të trajtojnë, në mënyrë shkencore, nga këndëvështrime të ndryshme çështjet e ekonomisë gjatë regjimit komunist në Shqipëri ose përvoja të ngjashme në vende të tjera ish-komuniste.
Disa nga tematikat që synon të trajtohen në këtë konferencë, janë:
- Transformimi i ekonomisë në ekonomi të kontrolluar nga shteti (qëllimi, realizimi, rezultatet).
- Të drejtat për pronën në kushtetutë dhe pasqyrimi i tyre në realitet.
- Përdorimi i reformave ekonomike si instrument për kontrollin e pushtetit.
- Qëndrimi i regjimit ndaj pronës private, shërbimeve dhe të tjera degë të ekonomisë private.
- Shtetëzimet, ligjshmëria dhe procesi real, qëllimi dhe rezulatet.
- Reforma agrare dhe kolektivizimi- dy procese të kundërta që ndodhëm njëkohësisht.
- Çështja e kulakëve, ligjshmëria, qëllimi dhe shkaqet e luftës kundër tyre, rezultati.
- Marrëdhënia e individit me pronën e përbashkët (kolektive, socialiste) në aspektin juridik dhe në realitet.
- Prona kolektive, e përbashkët, dhe prona shtetërore; ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre
- Rezultatet në ekonomi (mund të trajtohen degë të veçanta të ekonomisë), prodhimi, të ardhurat, në nivel kombëtar ose individual, niveli i mirëqenies, krahasuar me të shkuarën ose vende të tjera socialiste.
- Koncepti i monopoleve: a ishte ekonomia e kontrolluar nga shteti gjendje monopoli? Si e kontrollonte shteti, dhe kush e përfaqësonte këtë kontroll? Qëndrimi i kushtetutës ndaj monopoleve.
- Taksat dhe tatimet; a ishte shteti komunist një sistem pa taksa dhe tatime, ashtu siç pretendonte?
- Realiteti financiar, të ardhurat, shpenzimet, në nivel kombëtar ose individual, kreditë, borxhet, investimet, ndryshimet e monedhës, etj.
- Ekonomia socialiste në jetën e përditshme të qytetarit, histori nga mikro realiteti.
- Marrëdhëniet tregtare dhe financiare me vendet e tjera.
- Teknologjia dhe efikasiteti.
- Fundi i ekonomisë socialiste, pasojat, etj.
Këto janë thjesht disa tema orientuese. Aplikuesit janë të lirë të ofrojnë tema të tjera në harmoni me fokusin e kësaj konference, aspekte të veçanta të ekonomisë dhe këndvështrime specifike.
Konferenca do të zhvillohet më 17-19 nëntor 2021.
Aplikantët duhet të dërgojnë një abstrakt prej rreth 250-300 fjalësh dhe një CV të shkurtër profesionale në adresën: info@iskk.gov.al
Afati i fundit për abstraktet është 30 maj 2021.
Pjesëmarrësit do të njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 10 qershor 2021.
- PS. Sa i përket gjendjes së krijuar nga pandemia ndërkombëtare Covid-19, shpresojmë dhe dëshirojmë që deri në fund të vjeshtës,situata të jetë normalizuar dhe konferenca të zhvillohet në formën klasike, me ligjërime në një hapësirë publike. Nëse jo, konferenca do të zhvillohet online. Të gjithë punimet që do të paraqiten në konferencë, do të publikohen në një botim të posaçëm. Pjesëmarrësit do të pajisen me çerfitikatën e pjesëmarrjes në konferencë.