Shkëlqim ABAZI
Pas librit “Repsi” , një roman memuaristik që ISKK botoi vitin që shkoi, sheh dritën e botimit romani i dytë memuaristik i Shkëlqim Abazit, i titulluar “Spaçi”. Siç kuptohet edhe nga titulli, në fokus të këtij libri është burgu i tmerrshëm i Spaçit, i cili përshkruhet përmes përvojës personale të tij, si një ish-i burgosur politik që në moshën 16 vjeçare. Përmes një rrëfimi të detajuar , autori sjell situata dhe portrete bashkëvuajtësish, personazhe të njohur apo të panjohur, ngjarje nga realiteti jashtë kampeve që vijnë në një mënyrë të tërthortë përmes rrëfimeve, duke na dhënë jo vetëm një pamje më të plotë të burgut të Spaçit, por edhe një përshkrim të përgjithshëm të fizik dhe psikologjik të përiudhës për të cilën bëhet fjalë, të botës brenda dhe jashtë burgjeve. Ajo që e bën veçanërisht interesant leximin e kësaj vepre është sensi i mprehtë ironik, grotesku, me të cilën e përcjell atë dramë absurde, si në këtë paragraf: “Vasil Dhimitriadhi, një grek me histori të trishtë që kaloi njëzet vjet në burgjet politike shqiptare, gjë që s’ka lidhje me temën, u desh të shtynte një muaj e gjysmë izolim pse kish lënë barsetat poshtë “kocit të partisë” edhe pse i kish dalë një çiban tëpkë nën koc. As qenia nënshtetas grek, rrjedhimisht imperialist-monarko-fashist, që s’e detyronte dot të ndiqte modën tonë, domethënë modelin homo-socialistus, s’e pengoi Pjetër Kokën t’i fuste një hu mirditorçe dhe një muaj birucë. Kundërshtisë dhe insinuatës së Vasilit për mjekrat dhe mustaqet e Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, operativi Fejzi Liço iu përgjigj me dy javë të tjera, gjersa … iu shërua çibani.”