30 qershor, 2022

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, në një aktivitet të zhvilluar në Qendrën Rinore “ATA”, në Kamzë, prezantoi dokumentarin “Arkitektura në komunizën” – një film, i cili ka si subjekt trashëgiminë arkitekturore dhe planifikimin urban në periudhën komuniste. Në hapje të aktivitetit përfaqësuesja e Qendrës ATA, znj. Diana Malaj, risolli edhe njëherë në vëmendje projektet e ISKK në informimin e të rinjve mbi periudhën komuniste dhe më pas u ndal në kujtesën materiale; përmes analogjive, duke iu referuar edhe aktualitetit, ajo solli shembuj se si arkitektura dhe planifikimi urban, përbëjne një rast studimi demografik, por sidomos social-politik.

Filmi dokumentar “Arkitektura në komunizën” është prodhim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili bazohet në filmimin e tureve të të rinjve në qytetin e Tiranës nën udhëheqjen e historianit të artit, z.Eled Fagu, i cili na njeh me gjurmët e arkitekturës komuniste nëpër qytet në periudha të ndryshme, me planifikimin urban, dhe ideologjinë komuniste përtej kësaj estetike. Pjesë e këtij filmi, janë edhe pamje të marra nga arkivat.

Pas shfaqjes se dokumentarit, ideatori i këtij filmi dokumentar z.Ergys Mertiri, iu përgjigj pyetjeve të audiencës në lidhje me materialet e përfshira në këtë dokumentar, përvojat e realizimit të këtij projekti, dhe lidhjen midis estetikës së mjedisit dhe stilit të jetesës në komunizëm.