26 maj, 2021

Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në bashkëpunim me Departamentin e Historisë së Universitetit të Tiranës, realizuan me studentët një takim online, në fokus të të cilit ishin kampet e punës së detyruar në Shqipërinë komuniste, nisur nga filmi dokumentar Muzeu virtual i kampeve të Maliqit”, që është një nga projektet e fundit këtij Instituti. Ky film është një riprodhim fizik i tre kampeve çnjerëzore të punës së detyruar në Maliq, me ndihmën e programeve dixhitale, kryesisht Grafikës 3D.

Audienca e takimit ishte mjaft e gjërë dhe përbëhej nga studentë të niveleve “Bachelor” dhe “Master” të Degës së Historisë. Audiencës iu bashkuan edhe studentë të Vitit të 3-të Bachelor të Departamentit të Sociologjisë, lënda Etnologji, në Fakultetin e Shkencave Sociale, si edhe pedagogë, studjues, nga universitete të tjera të vendit.

Në hyrje të takimit, drejtuesja e Departamentit të Historisë, Prof. Asoc. Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa), foli më fenomenin “Gulak”, i cili e ka origjinën në kampet e punës në Bashkimin Sovjtik në epokën e Stalinit, dhe që pastaj rezonoi si praktikë në gjithë vendet komuniste. Duke iu referuar filmit, ajo theksoi impaktin e  fuqishëm të mjeteve audio-vizuale  si mjete informimi publik dhe sidomos edukimi, dhe vlerësoi punën e ISKK në gjetjen e qasjeve të tilla ndaj historisë.

Drejtuesja dhe skenaristja e  projektit të Muzeve Virtualë të Kampeve dhe Burgjeve në Shqipërinë Komuniste, z. Luljeta Lleshanaku, foli mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë materiale të periudhës së komunizmit, dhe improvizimit  të saj atje ku kjo trashëgimi tashmë është zhdukur, si një mënyrë për ta bërë të prekshme dhe të besueshme historinë. Para shfaqjes së filmit, ajo bëri një përshkrim të natyrës së kampeve të punës në Shqipëri, dhe u ndal në sfidat me të cilat është ndeshur grupi i punës që realizoi këtë film, në kushtet e mungesës së theksuar të dokumentacionit, gjurmëve të tyre fizike, dhe dëshmitarëve të ngjarjes.

Pas shfaqjes së filmit, përreth 45 minuta, u zhvillua nje seancë dinamike me pyetje-përgjigje rreth filmit lidhur me detajet filmike, burimet informuese në të cilat është bazuar skenari dhe arkitektura grafike, dhe lidhur me ndërthurjen midis elementëve realë dhe atyre artistikë. Një pjesë e studentëve, në diskutimet e tyre ngritën çështje esenciale lidhur me qëndrimin ndaj të shkuarës komuniste dhe edukimin në shkolla, mbi drejtësinë tranzitore si formë reflektimi dhe për përgjegjësinë kolektive ndaj kësaj të shkuare kriminale.