Prezantohet filmi dokumentar në 3D “Muzeu virtual i kampeve të Maliqit”

23 shkurt, 2021

Në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Ditët e Kujtesës 2021”, Insituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, prezatoi projektin “Muzeu virtual i kampeve të Maliqit”, objekti i të cilit qe rikrijimi i kampeve të punës së detyruar në Maliq përmes teknikave dixhitale: filmimeve në cilësinë 4K dhe grafikës 3D. Pas “Muzeut virtual të kampit të Tepelenës” prezantuar në vitin 2019, ky është produksioni i dytë në serinë e muzeve virtualë të kampeve dhe burgjeve në Shqipërinë komuniste. Më konkretisht, materiali letrar i këtij filmi është bazuar në rrëfimet me shkrim dhe dëshmitë në formë video-regjistrimesh të disa prej vuajtësve në kampet e punës së detyruar në Maliq: At Zef Pllumi, Beqir Ajazi, Ejëll Çoba, Sami Repishti, Avdyl Banushi, Makensen Bungo, Skënder Stefanllari, Lavdosh Beqo, Cezar Malile, Gani Kupi, Faik Selenica, dhe në librin “Gjurmë nga Kampi i Maliqit” të Ylber Merdanit. Konsulent i projektit: Kastriot Dervishi. Ideja e projektit dhe skenari: Luljeta Lleshanaku.

Ekipi i produksionit: grafika 3D e realizuar nga Klit Burda; regjia dhe produksioni filmik të realizuara nga Elton Baxhaku & Barraka Production.