Kolec TOPALLI
“Arsyeja që më shtyu të hedh në letër këto kujtime është dëshira që brezi i rritur në demokraci të njohë sa e vështirë ka qenë jeta e intelektualëve dhe e gjithë popullit shqiptar në regjimin totalitar komunist.”- shpjegon prof. Kolec Topalli ne pasthënien e përmbledhjes së tij me kujtime të titulluar “Një jetë me brenga”. “Prandaj, në përputhje me këtë qëllim, në këto kujtime jam përqendruar vetëm në disa aspekte të jetës sime, që me fakte konkrete shtjellojnë ashpërsinë e luftës së klasave, e cila përbën absurditetin më të madh të atij regjimi, njëkohësisht edhe faqen më të dhimbshme të tij. Për këtë arsye kam lënë jashtë çdo gjë që lidhet me jetën personale e familjare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e mia me pushtetin komunist dhe me botën shkencore, që ka qenë tej mase e politizuar.”
Ndryshe nga shumica e memuareve që fokusohen kryesisht në përvojat e familjeve ose ato individuale, prof. Topalli ofron një kornizë shumë më të gjërë: atë të transformimit social dhe fizik të shoqërisë që nga momenti i instalimit të shtetit komunist, e deri në ditët tona. Përdorimi i referencave, dëshmive përtej përvojës individuale, i jep rrëfimit të tij një vlerë që shkon përtej memuarit, drejt një studimi antropologjik. Libri është i pasur me fakte, është shkruar me një stil elegant publicistik, dhe me një saktësi të tillë shkencore që nuk i lë as edhe një mundësi autorit për koment apo për një qëndrim emocional ndaj ngjarjes.
Libri është konceptuar në disa kapituj: “Fëmijëria”, “Në internim”, “Vitet e rinisë”, “Në punë si mësues”, “Periudha e ushtrisë”, “Përsëri në arsim”, “Fillimet e punës shkencore”, “Në demokraci”, dhe “Në Institutin e Gjuhësisë”.