nga Luan MYFTIU
Luan Myftiu është një emër i dashur dhe i vyer në botimet tona, i qartë dhe sintetik, shumë i përmbledhur dhe i ndjeshëm, me kulturë dhe i urtë.
Librin i tij “Nën terrorin komunist”, është një sprovë ndër të parat me këtë temë dhe ndër më të arrirat. Pa fare protagonizëm narcistik, esetë e tij dëshmojnë dhe akuzojnë dhe kanë frymé drejtésie dhe paqeje.
Ne qemë në duart e një shteti që s’mbante përgjegjësi për jetën tonë; ne vlenim sa një procesverbal, me të cilin komunistët motivonin fundin e dramës sonë. Ne ishim vetë pasiguria. Ne ishim të tmerruar dhe s’dinim nga na vinte rreziku: nga një gur prej tavanit të minierës, nga prokurori-fantazmë që shfaqej çdo javë dhe na qe kthyer në makth, apo nga meraku për ata që kishim lënë jashtë në mjerim. Terrori mbi ne ushqehej çdo ditë nga ato që ndodhnin rreth nesh: nga kujtimi i shokëve që varroseshin të gjallë në minierë, nga britmat e të rrahurve prej skuadrës ndëshkimore, nga autolezionet për shkak të punës së rëndë, nga letrat e mbushura me halle të rënda familjare, nga zënkat dhe mëritë pa shkaqe të dukshme, nga vetëvrasjet etj. Ne ishim të fyer nga vetë dënimi ynë pa faj, nga pendesa hipokrite që na kërkohej, nga puna e detyruar, nga leximi i veprave të diktatorit, nga trajtimi si kafshë, nga ushqimi qesharak, nga rrahjet, biruca, braktisja e familjeve, nga gaveta, opingat dhe dysheku prej kashte etj.
(Pjesë nga libri“Nën terrorrin komunist dhe ese të tjera”)