Përktheu dhe përgatiti për shtyp, Dr.Alvin SARAÇI.

Ky libër, është një përmbledhje me artikuj të gazetarit të mirënjohur Italian me origjinë shqiptare, Luan Rexha, i cili pasqyron realitetin shqiptar të viteve shtatëdhjetë, të parë me sytë e një qytetari perëndimor.

Siç e pohon edhe vetë autori, ai ka qenë gazetari i parë perëndimor që iu dha një vizë për të vizituar Shqipërinë dhe për të bërë një panoramë të vendit gjatë marrëdhënieve me Kinën. Ai na jep një tabllo me ngjyra të gjalla të një vendi të izoluar dhe të indoktrinuar, ku mungonte liria e shprehjes, e shtypit dhe e ushtrimit të besimeve fetare.

Karriera e Luan Rexhës është e shumëanëshme. Në fillim si gazetar pranë “Giornale di Sicilia”, atij i duhet të përshkruajë Siçilinë në periudhën e Mafias, pastaj tërmetin e vitit 1967 dhe pastaj eksperiencën shqiptare. Njëkohësisht, kontributi i tij shtrihet edhe në fushën e teatrit si autor i disa dramave, muzikaleve dhe të kinotekës. Kjo i krijon atij mundësinë që të jetë në kontakt me njerëz të letrave dhe të artit, ambjente këto me orientim të majtë. Por, ndikimi tek ai i komunizmit italian, që është në thelb perëndimor, nuk e ndihmon aspak të pajtohet me totalitarizmin e socializmit real, që gjen në Shqipëri.

Në këto artikuj, nuk mungojnë elementet autobiografikë, që e pasurojnë edhe më tepër kuadrin e ngjarjeve.