Lufta është një sipërmarrje mizore, të cilën njeriu e ka ushtruar gjatë gjithë historisë së tij. Në pamundësi për ta shmangur, ai është përpjekur që t’i japë asaj – pavarësisht sa paradoskale mund të tingëllojë kjo – formë njerëzore. Kjo është realizuar përmes rregullave dhe kodeve.
Situata ideale, ku askush nuk sulmon askënd nuk ekziston. Atëherë, në një botë ku dikush sulmon e dikush mbrohet (po me luftë), vetëm njëra palë ka të drejtë. Prej këtej rrjedh logjika që ka çuar te lindja e doktrinës së luftës së drejtë.
Lufta e drejtë, e cila është baza e ligjeve moderne të luftës, i ka rrënjët në antikitet. Ajo është një përzierje e vlerave greko- romake të luftës, por dhe e kulturave të tjera: kristiane, islame, etj. Si dëshmi e origjinës së lashtë, të tria e pjesët e doktrinës vazhdojnë të emërtohen në latinisht: 1) jus ad bellum, e cila trajton të drejtën për të nisur një luftë; 2) jus in bello, e cila trajton të drejtën e veprimeve gjatë luftës; dhe 3) jus pos bellum, e cila trajton të drejtën e marrëveshje të paqes dhe përfundimin e luftës.
Lufta nacionalçlirimtare nuk është analizuar kurrë e bazuar në këtë doktrinë, megjithëse është interpretuar si luftë e drejtë. Në këtë Hyrje do të trajtojmë veprimtarinë e ushtrisë partizane në dy qasje: sipas teorisë së luftës së drejtë dhe sipas ligjit për krimet e luftës të krijuar nga vetë komunistët më 23 janar 1945, të cilin e zbatuan për të dënuar personat që ata i konsideronin kriminelë.”
(Pjesë nga hyrja e librit)