23 shkurt, 2022

Ditën e mërkurë, me datë 23 shkurt 2022, në sallën Antigonea, Hotel Rogner, Instituti i Studimit rë Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, (IDMC), në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “Ditët e kujtesës 2022”,  prezantoi një nga projektet e tij të fundit me karakter informues sensibilizues, filmin dokumentar “Arkitektura në komunizëm”.

Ky film 35 minutësh, ka një subjekt të tillë: një grup të rinjsh nga shkollat e mesme, udhëton me autobus nëpër qytëtin e Tiranës nën udhëheqjen e historianit të artit z.Eled Fagu, i cili i informon ata mbi objektet dhe planifikimin urban të trashëgimisw komuniste. Rifamiljarizimi me qytetin nga kjo perspektivë, nxit tek të rinjtë kureshtjen dhe reflektimin jo vetëm mbi estetikën komuniste, por dhe mbi historinë e komunizmit dhe regjimet totalitare në përgjithësi. Përveç detajeve nga ky udhëtim, filmi ofron edhe foto dhe pamje filmike nga arkivat.

Filmi u prezantua për audiencën nga autori i dokumentarit, z.Ergys Mërtiri, që ndër të tjera tha: “Ky dokumentar ka për qëllim të na tregojë natyrën e komunikimit që ka përcjellë arkitektura e regjimit komunist në Shqipëri: madhështia, idetë, shijet, mënyra e jetesës etj. Nëpërmjet tij, ne njihemi deri diku me strukturën psikologjike që prodhoi ai regjim në mënyrën sesi ai shprehet në ndërtimtari e arkitekturë. Duke ndjekur gjurmët e kësaj arkitekture ne jemi duke zbuluar gjithashtu gjurmët e regjimit vetë mbi ne, mbi realitetin e sotëm. Ne zbulojmë gjurmët e një arkitekture psikologjike të shoqërisë sonë që buron nga ky regjiim, të cilat janë ende pjesëmarrëse mbi jetën tonë të përditshme duke qenë rrjedhimisht edhe përgjegjëse për shumë prej problemeve të sotme.

Ne e kemi konceptuar këtë dokumentar edhe si një mënyrë për të ngacmuar reflektimin e secilit prej nesh për të parë, ndër të tjera, se sa ne jemi të ndikuar nga e kaluara jonë. Kjo është një përpjekje për të reflektuar mbi shumë prej problemeve të sotme, të cilat rrjedhin nga efekti që ai regjim ka ende mbi ne. E keqja është që ky refleksion nuk është bërë në nivelin e duhur gjatë këtyre 30 vjetëve, madje, për më tepër, në shumë raste është bërë e kundërta: regjimi na është servirur në një formë më të zbutur, duke evidentuar aspektet e tij pozitive. Kjo është një mënyrë për të ofruar harresë kolektive, si dhe për ta rehabilituar regjimin, duke i bërë pjesë atij në të tashmen tonë, me idenë se na duhet të bëjmë paqe me të kaluarën. Në fakt, kjo lloj paqeje është një lloj lufte me të vërtetën. Duke bërë paqe me të keqen, ne e integrojmë atë brenda nesh, çfarë e bën një ortakëri me të keqen kundër të mirës. Ne përpiqemi kështu të akomodojmë dhe rehabilitojmë një realitet historik ende të pazbardhur. Paqja me të kaluarën mund të bëhet vetëm pasi të kemi zbardhur të vërtetën dhe kur të tashmen e projektojmë në një realitet tjetër, atë të një shoqërie të lirë, të cilën kërkojmë.”

Filmi u ndoq me shumë interes nga të pranishmit në sallë por edhe në livestream përmes facebook-ut, dhe pati një jehonë të gjërë në media.

Pas premierës, ky film do të shfaqet edhe para audiencave të tjera, kryesisht rinore, dhe do të publikohet në rrugë elektronike në faqen zyrtrare.