14 korrik, 2022
Në kuadër të Shkollës Verore mbi “Dëshmitë gojore si burim shkencor në Historinë Bashkëkohore Shqiptare”, të organizuar nga Departamenti i Historisë , në Universitetin e Tiranës, Insituti i Studimeve të Komunizmit, u angazhua si pjesë e këtij programi përmes leksionit me temë “Roli i pazëvendësueshëm i dëshmive të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet, në zbardhjen e periudhës së komunizmit” , të mbajtur nga Znj. Luljeta Lleshanaku, Drejtore e Drejtorisë së Studimeve dhe drejtuese e projektit të “Zërat e kujtesës”, pranë këtij Instituti.
Drejtuesja e programit, Asoc. Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa) e cila edhe hapi këtë orë mësimore, bëri një paraqitje të aktivitetit së ISKK në zbardhjen e periudhës së Komunizmit, qasjet e ndryshme ndaj kësaj periudhe përmes projekteve kërkimore, informuese, arsimore, dhe atyre të informimit publik, duke u ndalur në vendin që zë dëshmia në gjithë format e veta, që ishte edhe objekti i gjithë programit.
Në fillim të leksionit të saj, znj.Lleshanaku bëri një historik të shkurtër të dëshmisë si mjet në periudha kyçe të historisë në përgjithësi, deri në Gjyqin e Adolf Eichmann në Jeruzalem, ku ajo fitoi një autoritet të jashtëzakonshëm. Pastaj, duke përdorur shembuj nga puna e saj, ajo u ndal në sfidat etike të punës mbi krijimin e arkivës së dëshmive në raport me ngjarjen, duke qenë se në dallim nga dokumenti, dëshmitë ndryshojnë midis tyre nga nuancat subjektive të rrëfimit, aftësia për të kujtuar, personaliteti, përvojat e mëvonshme jetësore, mosha dhe gjinia.
Në vijim ajo analizoi procesin e përpunimit të të dhënave të dëshmisë në raport me dokumentacionin, në aspektin e saktësisë: pra a mund të trajtohen vlerë njëlloj si dëshmia e si një dokument? Ajo argumentoi se dëshmitë konsiderohen autentike, por jodoemos 100% të sakta. Por, kur për të njëjtën ngjarje, situatë, dëshmitë korespondojnë me njëra-tjetrën, sigurisht që atëherë kemi të bëjme me një informacion të saktë.
Duke folur për nivelet e dëshmisë, me shembuj, ajo foli për dy katëgoritë e dëshmive: të dorës së parë, dhe të dorës së dytë, dhe shkallën e kredibilitetit të secilës prej tyre. Pastaj, theksoi faktin, që me kalimin e kohës, ashtu si edhe me dëshmitë mbi Holokaustin, dëshmitë e dorës së parë rrallohen bashkë me dëshmitarët, duke ia lënë vendin dëshmive të dorës së dytë.
Duke renditur medium-et përmes të cilëvë përcillën dëshmitë (media audio-vizuale, autobiografive, ditareve dhe filmave dokumentarë) , ajo argumentoi edhe dallimin midis tyre në raport me ngjarjen, duke përcaktuar edhe prioritetet e dëshmive audiovizuale në raport me tre të tjerat.
“Megjithatë, është metodologjia e marrjes së këtyre dëshmive, ajo që luan një rol thelbësor në vjeljen e më të mirës prej të intervistuarve”, u shprej ajo, duke për një përshkrim të hollësishëm të metodologjisë së ndjekur nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit për krijimin e kësaj arkive, një metodologji e bazuar mbi përvojat e mëparshme, por duke adoptuar edhe elementët origjinalë.
Duke folur për qëllimet e përdorimit të dëshmive si mjete edukative, ajo theksoi rolin e tyre si mjet ri-humanizues të viktimave, identifikimin e tyre, duke i lidhur emocionalisht viktimat me ngjarjen. Përmes dëshmive, historia bëhet edhe më e prekshme, dhe e besueshme. “Në fund të fundit, theksoi ajo, më shumë se dëshmi në kuptimin juridik të fjalës, dëshmitë historike kanë si qëllim, konfirmimin e ngjarjeve që janë të vështira për t’u rrokur.” Pastaj u ndal në rolin e dëshmive në përcjelljen e mesazheve morale, dhe duke i shndërruar audiencat në bartëse dhe përcjellëse të këtyre mesazheve morale.
Në fund të leksionit, për studentët u shfaq një montazh filmik 12 minutësh, me pjesë të ndryshme nga dëshmitë e të mbijetuarve të burgjeve dhe kampeve të Shqipërisë Komuniste, të cilat janë tashmë pjesë e Arkivës së ISKK.