Kastriot DERVISHI
Albumi “Histori të retushuara” i Kastriot Dervishit hedh dritë mbi një aspekt shumë specifik të propagandës komuniste: mbi censurën e imazhit. Sipas studjuesit “censura historike paraqitej në dy forma: në ndalesën e përgjithshme të shfaqjes së figurave historike (Mbreti Zog nuk njihej fare nga populli si portet), si dhe në botimin e fotove të retushuara, të cilat ndryshonin herë pas here. Në atë kohë nuk kishte programe të posaçme kompjuterike siç ka në ditët tona, por përdorej teknika e thjeshtë e prerjes me gërshërë, montimit dhe rifotografimit. Duhej patjetër që udhëheqësi të ishte me ‘burra të mirë’ të çastit, e jo me persona që Partia i kishte shpallur ‘tradhtarë’, apo nuk i dëshironte. Duke qenë një metodë thellësisht artizanale, shpeshherë harrohej spastrimi tërësor e fotografisë, tek-tuk mund të ngeleshin këmbë, duar, etj.”
Ky album sjell foto të marrra nga arkivat, në gjendjen e tyre para retushimit dhe pas retushimit, dhe të shoqëruara me shpjegime. Ndonëse manipulimi i historisë pëmes imazhit është një fenomen i njohur në të gjithë regjimet totalitare, evidentimi përmes dokumentave do të ishte me mjaft interes vecanërisht për brezat e rinj, për të kuptuar mekanizmin dhe impaktin e propagandës, në një vend të izoluar si ky i yni.