Konferencë shkencore
17, 18 nëntor, 2021
Në vijimësi të projekteve të tij, me natyrë studimore, me datë 17 dhe 18 nëntor, Instituti i Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), realizoi konferencën ndërkombëtare “Ekonomia socialiste në Shqipëri (1945-1990): baza ideologjike, dështimi dhe pasojat”, në të cilën morën pjesë 17 studiues të historisë dhe fushave të tjera, shqiptarë dhe të huaj. Siç u tha edhe në hapjen e konferencës nga Drejtori i Intitucionit, zoti Çelo Hoxha, iniciativa për të ndërmarrë një aktivitet të tillë, erdhi si rezultat i tre botimeve studimore me karakter mirëfilli ekonomik nga ana e ISKK, që janë: “Konfiskimi i pronës dhe i arit (1944-1955)”, në vitin 2012, “Sistemi i triskëtimit”, në vitin 2013, dhe “Dokumente mbi cënimin e pronës në periudhën komuniste (1944-1946)”, në vitin 2021. Kjo ishte konferenca e parë shkencore e zhvilluar në Shqipëri, që nga rënia e komunizmit, e cila trajton eskluzivisht çështjet e ekonomisë në komunizëm, duke mbushur kështu një boshllëk në fushën e studimeve historike.
Qëllimi i kësaj konference ishte analizimi i modelit ekonomik socialist të aplikuar në Shqipëri, bazat ligjore dhe ideologjike dhe mënyra e menaxhimit, të cilat, të marra së bashku, çuan në varfërimin e vazhdueshëm deri në kolapsin në fund të viteve ’80, që e bëri të pashmangshëm rënien e regjimit.
Në një plan më të gjerë, konferenca synoi të japë përgjigje për çështje të cilat shkojnë përtej reformave komuniste, dhe që ngjallin interesin jo vetëm të botës akademike por edhe më gjerë, si: a i përgjigjej vërtetë modeli socialist i ekonomisë barazisë sociale e vizionit human të propaganduar dhe të përqafuar nga shumica, apo ishte thjesht një mit; cilat janë pasojat e zevëndësimit të pronës private me atë kolektive; cilat janë ndryshimet e reformave komuniste në Shqipëri, në krahasim me shtetet tjera komuniste; si ndryshon marrëdhënia e individit me pronën si pasojë e konfigurimit të ri klasor; cilat ishin mekanizmat kontrollues në ekonominë e centralizuar dhe, pse rezultojnë dekurajues; pse modeli komunist nuk ofron mundësi për zhvillim teknologjik dhe energji krijuese etj.. Dhe ashtu, siç vuri në dukje në hyrje të konferencës, drejtorja e Studimeve, znj. Luljeta Lleshanaku, “kjo konferencë është një përpjekje për të deshifruar atë përkufizim që teoricientët perëndimore japin mbi ekonominë socialiste, sipas të cilit, ‘Socializmi është një plan i vjedhjes së sanksionuar moralisht; ai ka të bëjë me ndarjen e asaj që të tjerët kanë krijuar’”.
Një tjetër objektiv i kësaj konference, ishte inkurajimi i studiuesve, pasi siç u shpreh zonja Lleshanaku “edhe pse ekziston një konsensus i të gjitha palëve mbi socializmin si një model i dështuar ekonomik, prapëseprapë, ka shumë pak studime të thelluara mbi këtë temë.”
Konferenca u zhvillua online, në katër sesione, sipas këtij programi:
Nëntor 17, Sesioni I:
Proletarë dhe kapitalistë? Paradokset e eksperimenteve ekonomike në vitet 1989-1990
Prof. Afrim KRASNIQI, Instituti i Historisë, ASA, Tiranë;
- Politikat e diferencimit fshat-qytet dhe pasojat që lanë pas
Msc. Xhaferr SADIKU;
- Kontrolli i paligjshëm i ekonomisë dhe fshehja e krimit pas koncepteve të reja gjuhësore
Dr.Çelo HOXHA, ISKK
- Prona private në periudhën komuniste 1944-1948
Dr.Alvin SARAÇI,Instituti i Historisë, ASA, Tiranë
Nëntor 17, Sesioni II:
Aspekte të abuzimi me pronat nga formacionet ushtarake shqiptare
Msc. Florin ZYBERAJ, ISKK
- Marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik 1948-1961
Msc. Brisejda LALA, ISKK
- Mbrojtja e sistemit ekonomik në kuadër të normave juridike-penale në shqipërinë moniste
Prof. As. Engjëll LIKMETA,FakultetiiDrejtësisë, UT
- Procesi i kolektivizimit në bujqësi dhe propaganda rreth tij
Msc. Pjerin MIRDITA historian “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”; Msc. Anelmo SPAHIJA , Departamenti i Historisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”
Moderatore:Msc. Mfa. Luljeta LLESHANAKU, ISKK
Nëntor 18, Sesioni I:
- Hulumtimi i marrëdhënieve ekonomike jugosllavo-shqiptare 1945-48
Dr. Božica SLAVKOVIĆ – Instituti i Historisë Bashkëkohore, Beograd, Serbi
- Realizimi i stalinizimit ekonomik të Shqipërisë në vitet 1950-1967
Msc. Leonard DERVISHI
- Reforma Agrare dhe Kolektivizimi: dy procese të kundërta që ndodhën njëkohësisht.
Msc. Valjeta KAFTALLI, Qendra e Botimeve Zyrtare, Ministria e Drejtësisë
Nëntor 18, Sesioni II:
- “Aksionet vullnetare” si mjet për fortësimin e diktaturës së proletariatit.
Msc. Armando BOÇE, Msc. Arbër BILBILI, Msc. Myrteza SHARRA- Arkivi i Shtetit
- Pasojat e komunizmit dhe rendesia e reformave ekonomike ne drejtesine e tranzicionit
Ass. Prof. Blerina KELLEZI, Universiteti Nottingham Trent, MB
Moderator:Dr. Çelo HOXHA, ISKK
Argumentet me të rëndësishëm të paraqitur dhe diskutuar në këtë konferencë, kishin të bënin me:
– përpjekjet e vonuara për hapje të ekonomisë në raport me vendet e tjera gjatë periudhës 1989-1990, rezultuan të pasuksesshme, duke qenë se koncepti ekonomik i elites komuniste mbi tregun e lirë ishte i deformuar, proletar dhe i centralizuar, natyra ideologjike dhe qëllimi i pushtetit kushtëzoi masat ekonomike dhe se vetë mekanizmi i ri ekonomik nuk arriti të pranohej dhe aplikohej në shumicën e sektorëve ekonomikë (Afrim KRASNIQI);
– reformat në bujqësi, diferencimi gjatë periudhës së triskëtimit, diferencimi nëpërmjet sistemit të tatimeve, grumbullimeve dhe çmimeve dhe pabarazia e shpërblimeve të punës në fshat dhe qytet, etj., ishin ato politika që thelluan ndarjet fshat-qytet dhe rritën varfërinë dhe pabarazinë sociale midis midis fshatit dhe qytetit (Xhaferr SADIKU);
– forma e organizimit ekonomik në komunizëm si një formë monopoliste, por që në ligjërim quhej ekonomi socialiste, pasi regjimi komunist nuk ishte një sistem ekonomik i ri, aq më pak sistem alternativ i kapitalizmit, por një nga format e ekonomike kapitaliste, shpesh e konsideruar e dëmshme, e shfaqur në variantin ekstrem të saj (Çelo HOXHA);
– cënimin dhe kufizimin e pronës private dhe centralizimin e kontrollit të ekonomisë nga ana e shtetit, që u sanksionua nëpërmjet ligjeve të konfiskimit, të cilat përfshinë të arratisurit, të burgosurit politikë dhe pasuritë shtetërore dhe private të vendeve që humbën luftën e deri tek ndërhyrjet në notat e transkriptimit të hipotekave, dhe në bllokimin e pasurive private pas masës së sekuestrimit (Alvin SARAÇI);
– abuzimet, ose më saktë zaptimet e bëra nga formacionet ushtarake shqiptare, si: zaptimi i shtëpive, shkatërrimi i pronave private me anë të djegies, etj..(FlorinZYBERAJ);
– situatën ekonomike, të krijuar në vend, pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, kur si pasojë e mungesës së burimeve monetare dhe mospërfundimit të marrëveshjeve të nënshkruara, një pjesë e madhe e veprave industriale të parashikuara për t’u përfunduar u lanë përgjysëm (Brisejda LALA);
– aspektet kryesore të ligjit penal në vitet 1944-1990, lidhur me veprat penale kundër sistemit ekonomik (Engjëll LIKMETA);
– centralizimin e bujqësisë përmes kolektivizimit, që qe një proces i kundërt me atë që ndodhi në Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit; propagandën që shoqëroi këtë proces, dhe se si ky centralizim erdhi edhe më duke u thelluar, deri në reduktim të oborrit kooperativist dhe tufëzimin e bagëtive (në mesin e viteve ’70 dhe vitet ‘80), që solli edhe atë krizë ekonomike, të cilën brezi im e mban mend mirë… (Pjerin MIRDITA , Anelmo SPAHIJA);
– marrëdhëniet e ngushta ekonomike mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe kontekstit politik brenda të cilit, ato, u zhvilluan (Bozica SLAVKOVIC);
– stalinizmin ekonomik si model, qëllimet e tij, si u realizua në Shqipëri, si u prit nga shoqëria dhe cilat ishin kostot dhe pasojat e saj njerëzore dhe ekonomike (Leonard DERVISHI);
– background-in dhe transformimin e vazhdueshëm që pësoi ligji i Reformës Agrare brenda një kohe të shkurtër, arsyet përtej këtij transformimi, zbatimi i këtij ligji nga komisionet, zyrat për tokat e shtetit dhe “komisionet fshatare”, si edhe dallimin e kësaj reforme nga reformat komuniste të zbatuara në vendet e tjera socialiste, për të kuptuar nëse vërtetë u konceptua për t’i shërbyer mirëqënies së popallatës (Valjeta KAFTALLI);
– një vështrim ndryshe mbi aksionet dhe punën vullnetare si mjet për fortësimin e diktaturës së proletariatit (Armando BOÇE, Arbër BILBILI, Myrteza SHARRA).
– një sintezë të sistemit komunist, si një ekonomi të krijuar mbi baza jo-humane siç është përvetësimi i pronës dhe shfryzëzimi i paligjshëm i punës së krahut të të burgosurve politikë në kontekst me ‘drejtësinë tranzitore’, që është një nga reformat e domosdoshme në gjithë Europën postkomuniste për dëmshpërblimin e viktimave në disa nivele: nga vitet e burgut dhe internimit, pronat e grabitura dhe shpërnguljet e detyruara nga pronat, tek dëmshpërblimi për mohimin e të drejtës së edukimit, jetës sociale dhe kulturore, dhe shumë të drejtave të tjera të mohuara gjatë kësaj periudhe (Blerina KËLLEZI).