28 maj, 2022
Me 28 maj 2022, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK), në bashkëpunim me Bibliotekën e Shkodrës, organizuan në mjediset e kësaj biblioteke, promovimin e librit “Mollët e vjetit të ri”, me autor Filip Guraziun, botim i ISKK, 2021. Në emër të ISKK, i përfaqësuar në aktivitet nga drejtori ekzekutiv, dhe studiuesit Ergys Mërtiri dhe Brisejda Lala, foli drejtori ISKK.
Drejtori i ISKK, Çelo Hoxha, e vlerësoi librin si një nga botimet më të veçanta të vitit të kaluar. ISKK ka botuar prej vitesh një numër të konsiderueshëm librash me kujtime nga ish të përndjekurit politikë gjatë regjimit komunist, me synim grumbullimin e materialit informues për format e persekutimit dhe jetën e vështirë nën dhunën e diktaturës. Libri në fjalë ishte i veçantë, sepse ai rrëfen jetën e vështirë të një personi i cili, teknikisht, ishte i lirë. Ai ishte nxënës gjimnazi, sportist, e më vonë një i rritur që punonte si mësues apo ushtronte profesione të tjera, kurdoherë nën ndjekjen e vazhdueshme të policisë së regjimit komunist, Sigurimit të Shtetit.
Ndjekja e tij nga Sigurimi nisi, që kur, ai ishte ende një fëmijë, në gjimnaz; punonjësit e Sigurimit kishin ngarkuar një shoqen e klasës që të survejonte z. Guraziu dhe të informonte ata. Sjellja e shoqes së tij tregon një dimension tjetër të shoqërisë ose individëve të caktuar të saj. Në vend që të raportonte shokun te Sigurimi, vajza minorene zgjodhi t’i tregonte shokut të vet për detyrën që i ishte ngarkuar dhe i kërkoi atij të sillej me kujdes, për të ruajtur veten dhe atë.
Z.Guraziu i përkiste një familje të goditur nga regjimi, babai i tij u pushkatua më 1951, së bashku me 22 persona të tjerë, dhe ishte e logjikshme që veprimtaria e tij sportive të kufizohej, megjithëse ai ishte një djalë i talentuar. I ndodhur nën presionin e përndjekjes, kur ndodhej në Rumani për një aktivitet sportiv, z. Guraziu rrëfen se u përball me dilemën; mes mundësisë për t’u arratisur, kur e kishte këtë mundësi, dhe kthimit në atdhe, dhe ai zgjodhi të dytën, i nxitur nga dashuria për nënën dhe motrën, të cilat do të persekutoheshin, nëse ai zgjidhte të ishte lirë.
Autori rrëfen me shumë besueshmëri detaje që ilustrojnë faktin se shoqëria komuniste, sado e politizuar dhe e përçarë, nuk ishte bardhë e zi, në mbështetës të regjimit dhe kundërshtarë të tij, ose, më mirë, të anatemuar si klasa të përmbysura që shihen me dyshim, frikë e përbuzje. Palët ndërvepronin me njëra-tjetrën, duke shfaqur fuqinë e humanizmit në shpirtin e shoqërisë, kur u jepej mundësia të vepronin me vullnetin e tyre. Një detaj mjaft interesant është vizita e sekretares së partisë së lagjes në shtëpinë e autorit, së cilës, gjatë qëndrimit, iu desh të shkonte në banjën e familjes, ku, në vend të letrës higjenike, që mungonte, familja pritëse përdorte fletët e veprave të diktatorit. Përkundër frikës së rrëfyesit, ajo nuk e denoncoi kurrë sakriligjenin e familjes Guraziu. Ky libër, në vlerësimin e z. Hoxha, është një dëshmi aspekteve interesante të jetës në diktaturë. Për të pranishmit ISKK dhuroi një sasi librash.