Kryetar i Bordit Drejtues
Dr. Mentor Beqa është Lektor i Politikës Ndërkombëtare dhe Metodologjisë së Kërkimit Shkencor në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, si edhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike “Sami Frashëri”. Ai ka përfunduar studimet universitare për Gazetari në Universitetin e Tiranës, ka ndjekur studimet master në Siguri Ndërkombëtare në Universitetin e Gjenevës dhe është diplomuar “Doktor i Shkencave Politike”, në Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin Europian të Tiranës.
Dr. Beqa është autor i disa botimeve shkencore në revista akademike të njohura dhe ka kontribuar me raporte të politikave publike në kuadër të projekteve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Ai ka mbajtur pozita të rëndësishme në administratën publike, duke shërbyer si Këshilltar dhe Shef Kabineti i Ministrit të Mbrojtjes (2009–2013), si, dhe si Këshilltar i Ministrit të Brendshëm në vitin 2017. Ekspertiza e tij përfshin politikat e sigurisë kombëtare, europiane dhe ndërkombëtare, me fokus në politikën strategjike, teorinë politike ndërkombëtare dhe metodologjinë e kërkimit shkencor. Aktualisht, ai është i angazhuar në kërkime mbi sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, për të cilat ka publikuar një sërë dokumente politikash.
Gjatë viteve të fundit, Dr. Beqa është fokusuar, në mënyrë të veçantë, në çështjet e komunizmit dhe drejtësisë tranzicionale në vendet post-komuniste. Në vlerësim të kontributit të tij në këtë fushë, ai është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), dhe që prej prillit 2025, mban detyrën e Kryetarit të Bordit Drejtues të këtij Instituti. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Akademisë së Re të Shkencave të Shqipërisë, pjesë e Akademisë së Shkencave.
Interesat e tij akademike përfshijnë politikën ndërkombëtare, gjeopolitikën, integrimin europian, demokracinë dhe drejtësinë tranzicionale.
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) është një ent i pavarur në Shqipëri që merret me dokumentimin e periudhës së regjimit komunist.
© Copyright 2025 by iskk.gov.al
Kjo faqe mirembahet nga Idealdevs