Para pak kohësh, dolën nga shtypi botimet e reja të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit që i përkasin zhanreve të ndryshme, si: studime shkencore, monografi, memuare, dëshmi dhe refleksione. Një pjesë e veprave janë kontribut i studjuesve të Institutit, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre, ka si autorë bashkëpunëtorë të jashtëm. Promovimi i tyre në aktivitete publike, pritet të bëhet në një moment më të vonë, pas lehtësimit të masave të distancimit social në kushtet e pandemisë.
Më poshtë, po japim një pasqyrë përmbledhëse të këtyre botimeve:
“Fjalori i Viktimave të Terrorit Komunist”, volumi IX
(gërmat “x-xh-y-z-zh”)
Përgatitën: Çelo Hoxha, Kolë Kamsi, Brunilda Doçi, Juliana Kurti, Daniela Runa, Florin Zyberaj
Gjatë vitit 2020, u përgatit për shtyp dhe u botua volumi i IX-të i “Fjalori të Viktimave të Terrorit Komunist”, i cili është një nga veprat më të rëndësishme të ISKK që prej fillimi, dhe që përfshin të gjitha format e dënimeve politike (ekzekutim, burgim, internim dhe dëbim), argumentimin ligjor dhe kohën e vuajtjes së dënimit për çdo individ. Ky botim trajton konkretisht personat, mbiemrat e të cilëve fillojnë me gërmat “x-xh-y-z-zh”. Përveç vlerës si një databazë, ky botim pasqyron më së miri edhe mekanizmin e fabrikimit të elementit ‘armik’, instrumentalizimin e ligjit, dënimin për faje të pakryera, dhe përdorimin e dënimeve nga pushteti diktaturial si mjete presioni ndaj pjesës tjetër të popullsisë.
“Partia Komuniste Shqiptare gjatë Luftës II Botërore” (1941-1944)”
Autor: Luan DODE
Në këtë monografi autori trajton historinë e PKSH nga krijimi i saj (nëntor 1941) deri në fund të luftës kur ajo mori pushtetin (nëntor 1944), në kontekst me faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Libri,sjell hedh dritë mbi një seri ngjarjesh përcaktuese duke filluar që nga mbledhja themeluese, organizimi i Partisë në qendër e në bazë dhe sidomos roli i komunistëve jugosllavë, përfshirë rolin e M. Popoviçit e D. Mugoshës, në këtë histori. Studimi bazohet kryesisht në materiale burimore arkivore, por dhe burime të tjera të botuara, si: monografi, artikuj studimorë, gazeta, kujtime, etj.
“Revolta në Zhapokikë, 1948“
Autor: Xhezo CANA
Kjo monografi hedh dritë mbi ngjrjen më të bujshme të vitit 1948, revoltën e Zhapokikës, e cila për një kohë të gjatë u përbalt , u mbyt me aludime e skënarë “agjëenturorë”, duke mbetur deri vonë një mister. Falë kësaj monografie e cila bazohet kryesisht mbi dokumente të arkivave, rindërtohet e gjithë ngjarja, qëllimi i parë i së së cilës ishte kundërshtimi i reformave të regjimit komunist në vitet e para. Forma politike që mori kjo revoltë, solli edhe ndëshkimin e pamëshirshëm të popullsisë së përfshirë në revoltë nga ana e regjimit, me një bilanc prej njëqind viktimash, të burgosur dhe të persekutuar në forma të tjera, të cilët gjithashtu trajtohen hollësisht në këtë libër.
“Doracak termash të diktaturës komuniste”
Autor: Kastriot DERVISHI
Ky botim është një fjalor i vogël me terma, togfjalësha, akronime dhe emërtesa të përdorura gjatë regjimit komunist, që i përkasin asaj tipologjie, dhe që tashmë, megjithëse kanë dalë nga qarkullimi në të folmen e përditshme dhe në ligjërimin zyrtar, gjenden në librat e historisë, përgjithësisht pa shpjegime kuptimore ose etimologjike. Shumë prej këtyre fjalëve, duke mos qenë më pjesë e fjalorit aktual, bien në humnerën e thellë të rrezikut të harresës, duke u bërë pengesë për të kuptuar kohën dhe ngjarjet që simbolozojnë, veçanërisht tek brezat e lindur pas vitit 1990. Dhe ky doracak, përmes evokimit të kësaj terimologjie dhe shpjegimeve shoqëruese, plotëson një hallkë të rëndësishme në informimin dhe edukimin e të rinjve mbi epokën komuniste.
“Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist“
Autor: Kolec MIRASHI (Traboini)
Në këtë libër me kujtime, autori, ish i burgosuri politik Kolec Mirashi (Traboini), na rrëfen sagën e hidhur, të gjatë e cfilitëse, të familjes së madhe të Traboinëve nga qyteti i Shkodrës nën regjimin komunist. Është një fotografi e bukur e familjes Traboini e realizuar nga fotografi shkodran Marubi në vitin 1951 që shërben si kopertinë, e cila, për ironi, “qe dita e fundit, pse na, për fat të keq, nuk u bashkuem ma asnjiherë të gjithë, as për gzime, as për idhnime“ siç rrëfen autori. Në libër, herë në stil kronologjik, herë me digresione, jepet ideja e rrugës së sakrificave dhe mundimeve që kaloi një familje me shumë anëtarë, për shkak të përndjekjeve dhe synimit të Sigurimit për ta nënshtruar, “për të vetmin faj pse guxuen me mendue ndryshe; pse në qenien e tyne ekzistonte liria, guximi, si pjesë e së drejtës njerëzore“. Botimi shoqërohet me një parathënie nga z.Agron Tufa.
“Sytki Hoxha, një jetë i burgosur”
Autor: Qemal VELIJA
Ky libër përmes jetëshkrimit, dokumenteve të ndryshme, dhe letërkëmbimeve, ndërton portretin e Sytki Hoxhës, i cili vuajti 37 vjet burg dhe internim në Shqipërinë komuniste. Ajo çka e bën akoma më domethënëse këtë histori, është fakti që Sytki Hoxha është një shqiptar i Kosovës, i cili iu bashkua çetave partizane në luftën kundër fashizmit, por si një patriot, duke parë zhvillimet politike anti-shqiptare në Jugosllavinë e pasluftës, u arratis në Shqipëri, duke rënë në kurthin e një tjetër regjimi, akoma dhe më mizor, të regjimit komunist në Shqipëri, një përvojë kjo që simbolizon fatin tronditës të pothuajse gjithë shqiptarëve të përtej kufirit, të cilët shpresuan të gjejnë mbrotje dhe mbështetje në atdheun mëmë. Përtej vuajtjeve, torturave, dhe gjithë shantazheve të Sigurimit të shtetit, përmes skicimit të figurës së tij nga bashkëkohësit dhe të njohurit e tij, shpaloset një personalitet shumë interesant, idealist dhe frymëzues.
“Zërat e kujtesës”, vëllimi VI
Autor: Luljeta LLESHANAKU
Përgatitën për shtyp: Juliana UZNOVA, Daniela RUNA
Ky është botimi i radhës i ISKK, në të cilin përmblidhen dëshmi të transkriptuara të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet e internimit në regjimin komunist. Në këtë numër, sillen përvoja në burgjet dhe kampet e njohur por edhe më pak të njohur, siç është rasti u dhunës në Burgun e Tales pas revoltës së Qafë Barrit, e përdorur si një mënyrë parandalimi e përshkallëzimit të revoltës në kampe të tjera. Të tjera përvoja kanë të bëjnë me torturat dhe presionin psikologjik në hetuesi, dhe me përdorimin e spitalit psikiatrik si mjet presioni. Por aspekti dominues që evidentojnë intervistat e këtij numri, është burgosja e të miturve për arsye politike, kryesisht për tentativë arratisje. Këto dëshmi, i papaprijnë studimeve të veçanta që do të realizohen në të ardhmen mbi këtë temë. Të intervistuarit e përfshirë në këtë numër, janë: Selim Cani, Altin Gjuzi, Gjergj Hani, Dashamir Kovaçi, Suzana Matja, Kolë Verri (Pepa) dhe Zhivko Petroviç.
“Karuseli i totalitarizmit” – shënime mbi kujtesën dhe kulturën
Autor: Islam SPAHIA
Libri është përmbledhje me portrete të dënuarish politikë, kujtimesh, refleksionesh mbi diktaturën dhe intervistash të autorit nisur nga përvoja e tij si i ish i dënuar politik. Nga një perspektivë mjaft interesante trajtohen portretet e bashkëvuajtësve të tij si ajo e Dom Lec Sahatçisë, Zef Ashtës, Dom Mikel Koliqit, Ahmet Kolgjinit, Marie Shllakut, Edison Gjergos, Xhelal Koprenskës dhe Nexhat Hakiut. Dy nga esetë më interesante në këtë vëllim është ajo mbi gjenocidin si koncept ligjor dhe si koncept kulturor, dhe eseja “Morsa e makinerisë diabolike diktaturës”, rreth librit “Grabriani rrëzë kodrave” të Lek Tasit, që flet për jetën e të internuarve në Grabian të Lushnjës.
“Në kërkim të ditëve premtuese” – refleksione
Autori: Sami REPISHTI
Ky libër është një përmbledhje esesh, artikujsh e intervistash të profesor Sami Repishtit, njërit nga të mbijetuarit e burgjeve dhe kampeve në Shqipërinë Komuniste, që vijnë si dëshmi, analizë dhe thirrje për reflektim, nga një person që e shikon si detyrë rrëfimin, dëshmimin e krimeve të regjimit komunist. Në këto ese ndërthuret përvoja personale dhe e bashkëvuajtësve të tij, rrethanat historike, e shkuara dhe e sotmja, në një kontekst të pasur politik, filozofik dhe human. Ndër të tjera, zoti Repishti, vlerëson qëndrimin e lartë moral të viktimave të komunizmit, të cilët, pas rënies së atij regjimi, refuzuan të udhëhiqeshin nga urrjejtja dhe hakmarrja kundër njerëzve që i shërbyen atij regjimi. Tani, sipas tij, është koha për të hedhur hapin e dytë: “Pajtimin në mes nesh, individual e kolektiv.”
“I lumi Dom Shtjefën Kurti, dëshmitar i kishës martire” volumi II – monografi
Autorë: Nikolin KURTI, Alfred Duka, Nikollë LOKA
Ky është vëllimi i dytë monografik kushtuar Dom Shtjefën Kurtit, si një prej figurave që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, por që për ironi, ka vuajtur 20 vjet burg nën regjimin komunist, dhe u përndoq deri kur u ekzekutua në vitin 1971. Madje historia e tij e ekzekutimit vetëm për shkak se pagëzoi një fëmijë, ka mbetur në kujtesën kolektive si një nga përvojat më absurde dhe më të shëmtuara të komunistëve. Fati i tij, simbolizon jo vetëm persekutimin e klerit katolik në Shqipërinë komuniste, por edhe të elementëve nacionalistë në përgjithësi. Për hartimin e volumit II, autorët u janë referuar dokumentacionit të AQSH, Ministrisë së Brendshme, arkivës së Vatikanit, si edhe studimeve të shumta dhe artikujve shkencorë të realizuar deri tani mbi Klerin Katolik, që në këtë rast shërbejnë si burime të ndërmjetme referimi.
“Ramize Gjebrea: një jetë për një tjetër kohë”
Autori: Vasfi BARUTI
Ky botim është një monografi për jetën e Ramize Gjebresë, të pushkatuar gjatë luftës nga Brigada V partizane. Libri ofron një informacion të zgjeruar për jetën e saj, duke përfshirë periudhën e studentore, angazhimin në qëndresën antifashiste lëvizjen komuniste dhe në forcat partizane, historinë e ekzekutimit të saj, si dhe analizon qëndrimet kontradiktore për historinë e ekzekutimit të saj, një çështje që sot e kësaj dite vazhdon të mbetet e diskutueshme. A ishte vërtetë “imoraliteti” shkaku i dënimit të saj, apo kemi të bëjmë me një akt të pastër politik, pas të cilit fshihej ndikimi i Dushan Mugoshës dhe PKJ, siç synon të argumentojë edhe ky studim?
“Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq”
Autor: Denis GILA
Ky libër është konceptuar në formë e një interviste të gjatë me zonjën Suzana Biçaku Maliqi, një nga gratë e persekutuara nga regjimi komunist. Në formën e dëshmive, zonja në fjalë, e lindur në një familje patriotike, pjesë e parisë së kombit shqiptar dhe të njohur për ndjenjat e forta filantropike, që në fëmijëri i takon të kthehet në viktimë të luftës së klasave, të ndeshet me sfida të papërballueshme mbijetese. Shkaku, siç edhe zbulon kjo intervistë, ishte burgosja politikisht e dy prindërve edhe pse të papërzier me politikë, thjesht për shkak të pasurisë që zotëronin. Historia frymëzuese e kësaj gruaje, e cila falë forcës së karakterit arriti të mbijetojë mbi rrethanat e destinuara për klasën e saj në Shqipërinë Komuniste, paraqet interes jo vetëm në aspektin historik, por edhe atë sociologjik dhe psikologjik, sidomos për brezat e rinj.
“Hazis Sharra, luftëtari antifashist që ra nga plumbat e komunistëve”
Autor: Enver MEMISHAJ
Ky studim i referohet figurës së Hazis Sharrës, pinjoll i familjes Sharra, një luftëtar anifashist, i vrarë nga atentatorët komunistë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, një akt i cili sipas historianëve, i hapi rrugë luftës civile në Vlorë dhe në Shqipëri. Përmes dokumenteve nga arkivat, hidhet dritë mbi insinuatat e krijuara dhe psedo-historinë me të cilën komunistët kanë veshur ngarjen, shkaqet e vërteta të eleminimit të tij, si edhe mbi pasojat me të cilat vazhdoi të përballet familja Sharra, nga viti 1944 e deri në rënien e regjimit.