Nga konferenca shkencore “Dritëhije”, organizuar nga Muzeu “Shtëpia me gjethe”

23 maj 2022

Me rastin e 5 vjetorit të çeljes së Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, organizoi konferencën konferenca “Dritëhije”,  në të cilën morën pjesë morën pjesë historianë e studiues të cilët sollën në vëmendje një debat shkencor e publik, që lidhet me vendet e kujtesës dhe trajtimin e trashëgimisë komuniste.

Fjala e drejtorit të ISKK, Z. Çelo Hoxha u fokusua në rëndësinë që ka studimi i periudhës së komunizmit referuar qasjeve që përcjellin studiuesit e ndryshëm. Në cilësinë e anëtarit të bordit editorial të kësaj konference, z. Hoxha u ndal në evidentimin e elementeve juridikë dhe legjislacionin e ngritjes së regjimit komunist, duke theksuar nevojën për hulumtime të tjera në fushën e legjitimitetit të regjimit dhe organeve të ngitura prej tij. Zoti Hoxha u shpreh se, ISKK ka nje literaturë të pasur dokumentare dhe, se është e nevojshme që të kryhen studime më të thellura, që prekin thelbin e komunizmit. Eshtë e nevojshme, theksoi ai, se duhen trajtuar organet e diktaturës dhe veglat që i shërbyen asaj. Pa studimin e organeve të diktaturës, historia mbi regjimin nuk do jetë i plotë. Ajo që po shpaloset sot, është thjesht një fraksion i terrorit që ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit komunist.

Në konferencë ligjëruan edhe dy studiuesit e ISKK, Dr. Brisejda Lala me temën “Aspekte të jetës sociale në internim”, si dhe Msc. Florin Zyberaj me temën “Detyrat e Divizionit të Mbrojtjes së popullit”. Dr. Brisejda Lala prezantoi në këtë konference, kumtesën me titull “Aspekte të jetës sociale në internim”, ku bëri një panoramë mbi kushtet e jetesës në një vend internimi në Shqipëri, gjatë periudhës së diktaturës. Në fjalën e saj, znj. Lala u ndal në kushtet e vështira të jetesës në një vend internimi (duke bërë një ndarje ndërmjet kampeve dhe fshatrave). Referuar dokumenteve arkivore të kohës, mbështetur edhe nga dëshmitë e të internuarve, nëpërmjet kësaj kumtese ajo solli në vëmendje një pjesë të historisë sociale të vendit si një domosdoshmëri, për të krijuar një pamje të qartë të jetës së përditëshme në një vend internimi ku mungonin hapësirat e domosdoshme të jetesës, ushqimi i nevojshëm dhe kushtet minimale higjeno-sanitare.  Përsa i përket kushteve të jetesës dhe jetës të të internuarve, theksoi ajo, – shpesh herë është hedhur teza se edhe pjesa tjetër e shoqërisë (pra, e painternuar) jetonte në kondita të vështira në këtë periudhë kohore.  Ajo argumentoi se, në asnjë rast nuk mund të vendosen paralelizma ndërmjet këtyre rasteve, pasi përveçse kushtet ishin shumë herë më të vështira për të internuarit, këtyre të fundit i ishte konfiskuar pasuria duke mos u lejuar të merrnin me vete ato pak të mira materiale që dispononin, u ishte mohuar mundësia e lëvizjes pa leje duke mos u lejuar të largoheshin nga zona e internimit, si edhe mundësia për të arritur diçka më shumë në saj të punës dhe sforcove të tyre. Pagat e tyre minimale nuk mjaftonin për të siguruar ushqimin, fëmijët e tyre ishin të ‘dënuar’ të mos arsimoheshin dhe të ndihmonin familjen. Të jetoje në internim, do të thoshte, – të mos ishe pjesë e aktiviteteve të jetës së përditshme që organizoheshin. 

Ndërsa studiuesi Florin Zyberaj prezantoi kumtesën “Detyrat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit”. Sa herë që flitet për survejim, përndjekje e dhunë, përnjëherë të shkon ndërmend, dy organet kryesore të diktaturës komuniste në Shqipëri siç ishin Divizioni i Mbrojtjes së Popullit dhe Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit. Divizioni ishte struktura më represive e diktaturës dhe vegël e qeverisë komuniste. Si shumë ogane të tjerë, u shpreh z. Zyberaj, edhe DMP ka probleme të legjitimitetit, pasi nuk është zbatuar një proces ligjor i ligjshëm për krijimin e tij. Divizioni i Mbrojtjes së Popullit ishte një strukturë ushtarake e krijuar nga brigadat partizane në fund të vitit 1944 me detyra operacionale dhe operative që funksionoi deri në tetor të vitit 1949. Forcat partizane, përfshirë këtu dhe forcat e DMP, shërbyen si instrumenta të qeverisë komuniste për të instaluar regjimin diktatorial duke u kthyer në një vegël për shtypjen e kundërshtarëve politikë. Përgjatë kohës që funksionoi, Divizioni i Mbrojtjes së Popullit kreu disa detyra, si: ndjekja e kundërshtarëve të regjimit komunist që në gjuhën e Sigurimit apo nëpunësve të diktaturës cilësoheshin si kriminelë; shtypjen e lëvizjeve antiqeveritare që synonin rrezimin e regjimit komunist; ruajtjen dhe mbrojtjen e aparatin shtetëror, pasurive shtetërore, si dhe qendrat e rëndësishme të objekteve ekonomike dhe administrative si minierat, kantierët, skelat, urat, aerodromet, depot, burgjet, kampet, organet qendrore, digasteret etj. Ndër detyrat kryesore të këtij organi ishte të kontrollonte personat e arrestuar, shoqëruar dhe të burgosur, madje edhe të ruante kufirin, të organizonte prita, rrethime për të penguar çdo kalim jashtë kufijve territorialë të vendit etj. Studiuesi Zyberaj bëri një analizë të detajuar mbi zbatimin e detyrave funksionale të DMP, si dhe të paraqiti të dhëna të rëndësishme mbi aktivitetin e divizioni përgjatë viteve 1944-1949.