21 dhjetor, 2021
Me rastin e hapjes së ekspozitës të ciklit të pikturave “Barakat përballë” të Lekë Tasit në galerinë “Zenit”, Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit organizoi një bashkëbisedim të autorit me studentët e pedagogët e Departamentit të Komunikimit dhe Arteve Liberale në UET. Punimet e paraqitura në këtë ekspozitë, janë realizuar nga koha kur Tasi ishte në internim, në fshatin Grabjan të Lushnjës. Disa nga këto skica e vizatime kaluan në një sfond reflektimi para auditorit të studentëve duke u lidhur pashmangshëm mes artistit dhe kushteve kur u krijuan ato, nën terrorin e regjimit komunist. Studentët treguan një interes të lartë mbi këtë raport të artistit me historinë tonë të së shkuarës, duke ngritur pyetje mbi lirinë e shprehjes në kohë të censurës, dhe si ka ndikuar vuajtja e izolimi mbi imagjinatën e tij.
I pranishëm në këtë takim ishte drejtori i ISKK, z. Çelo Hoxha, i cili foli mbi dimensionet e Lekë Tasit si artist, piktor, muzikant dhe shkrimtar duke na lënë edhe një dëshmi të së shkuarës komuniste ditarin e tij, krahas veprave që janë prezantuar në ekspozitë, si proces shpirtëror, në reflektimin e ndërgjegjes në skica dhe vizatime nga jeta në kampet e punës.
Studiuesja e arteve pamore, pedagogia e UET, Suzana Varvarica duke përcjellë reflektimin që shkaktojnë imazhet e Lekë Tasi tha se “Fuqia e artit ka misheruar tek piktori Tasi në arsyetimin e jashtëzakonshëm mbi mjedisin, realitetin e së kaluarës komuniste, duke na zbuluar për herë të parë këto vepra të rralla në pikturën shqiptare”.
Më tej, bashkëbisedimi u moderua nga gazetarja Violeta Murati, aktualisht punonjëse në ISKK. Në përgjigje të pyetjeve, zoti Tasi u shpreh se, “veprat sa janë një akt i ndërgjegjshëm aq janë edhe një akt i pandërgjegjshëm. Unë e quaj dhunti të madhe që të jetë i pandërgjegjshëm dhe i pranuar nga publiku, si një gjë që habit. Suksesi i një vepre, një gjë që nuk mund ta mohojë njeri, është se veprat e mia ka ide origjinale. Në çdo punë ka një situtatë paranormale, që vjen si filtrim i mendjes, i ndërgjegjes, që të habitë shikusin”.
“Realieti në akord me kushtet e atëhershme, donte një shprehje të tillë që të tregonte shpritra të ndryshëm të kohës së tij. Koha pasqyrohet në art, por jo në thelbin e artit. Mund të them se thelbi i artit është personal. Artisti është çliruar nga subjekti, stili nga koherenca e një historie. Rezultati është i pavarur nga ti. E thonë shumë artistë”, iu përgjigj Tasi interest të studentëve mbi përcjelljen e imazhit në kushte lirie personale, dhe reflektimit si dëshmi nga skicat e prezantuara.
Duke folur për raportin e artistit me ideologjinë në komunizëm, Ermir Nika, Ermir Nika, drejtori i departamentit të Arteve dhe Komunikimit në UET, solli shembuj nga letërsia e realizmit socialist, si censura arritë të shkatërrojë qënien e krijuesit. Për rastin e piktorit Lekë Tasi, Nika u ndal në modelin e kundërt, atë të një artisti të lirë që edhe në kushte izolimi dhe shtërngese të shprehjes krijon vepra të pakontestueshme artistikisht, duke pasur një histori dëshmimi të jashtëzakonshëm mbi të shkuarën.
“E keqja u bë pjesë e jona në të të shkuarën komuniste, ku përrrenjtë e psikës arritën të inspirojnë tek të gjitha format e artit”, tha në mbyllje Tasi, duke mbërritur në shqetësimin e sotëm të të rinjve, e treguar atyre se, “për brezin e ri është e nevojshme të gjejnë modele të së mirës”.