Thirrje për dorëshkrime, Kolana e Botimeve 2025

Në përputhje me misionin e tij për studimin dhe vlerësimin me objektivitet të periudhës komuniste, për dokumentimin dhe vënien në dijeni të publikut mbi  krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste dhe mbi natyrën e sistemit totalitar në gjithë aspektet e tij,  prej dhjetë vitesh, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka botuar një seri veprash me rëndësi studimore, dokumentuese dhe dëshmuese, një pjesë e madhe e të cilave, vjen si kontribut i bashkëpunëtorëve të jashtëm të këtij Institucioni.

Në vazhdim të këtij projekti, për planifikimin dhe përgatitjen për shtyp të kolanës së botimeve për vitin 2025, ISKK fton studiues të fushave të ndryshme, të mbijetuar nga burgjet dhe kampet komuniste, gazetarë, dhe autorë të tjerë të interesuar, të aplikojnë me dorëshkrime për botim në këto kategori:

  • Studime shkencore me tematika të ndryshme që lidhen me një aspekt të caktuar të regjimit komunist
  • Memuare, ditare, kujtime nga përvojat në burgje dhe në kampe internimi
  • Monografi
  • Përmbledhje intervistash me të mbijetuar nga burgjet dhe kampet
  • Albume origjinale skicash dhe fotografish të kësaj periudhe
  • Vepra të shkruara në kushte represioni në burgje dhe kampe internimi.
  • Tekste shkollore dhe antologji

Studimet, duhet të plotësojnë kriteret e një punimi shkencor në formë dhe përmbajtje, të jenë të përfunduar dhe të shoqërohen me një sinopsis të shkurtër prej jo më shumë se 2-3 faqesh kompjuterike. Kurse dëshmitë në formën e prozës memuaristike, kujtimeve apo ditareve, duhet të reflektojnë përvoja origjinale , pra të jenë dëshmi të dorës së parë.

Përveç dorëshkrimit, secili nga autorët ose grupet e autorëve, duhet të dorëzojë  një CV, kërkesën dhe deklaratën e autorësisë sipas formatit bashkëlidhur.

Kërkesë për botime

Deklaratë Autorësie

Çdo dorëshkrim i paraqitur për botim, nuk duhet të jetë i publikuar më parë si libër ose në forma të tjera. Dorëshkrimet duhet të dorëzohen të shtypur sipas rregullave të faqes daktilografike dhe të pafaqosur.

Të gjithë dorëshkrimet e paraqitur, do t’i nështrohen një procesi analizimi, vlerësimi dhe seleksionimi prej Këshillit Shkencor të ISKK dhe më pas prej Bordit Drejtues të ISKK.

Çdo dorëshkrim duhet të dorëzohet me postë elektronike në adresën info@iskk.gov.al, ose me postë të rregullt në adresën:

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Rruga Saraçëve, tek Selvia, përballë me supermarketin SPAR, kati 2.
Tiranë,SHQIPËRI

Afati i dorëzimit të dorëshkrimeve: 30 shtator 2024
Për çdo pyetje apo paqartësi, ju lutem të na kontaktoni me email në adresën: info@iskk.gov.al