16 nëntor, 2021

Ditën e  martë,  me 16 nëntor, 2021, ora 11:00, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK), në ambjentet e jashtme të tij, organizoi një takim në kujtim të viktimave të terrorit komunist në Tiranë gjatë periudhës 28 tetor – 16 nëntor 1944. Për një impakt më të madh publik, ky takim u shoqërua me një mini-ekspozitë, ku përveç afishimit të emrave të viktimave të masakrës, u shfaqën grafikisht edhe dokumente të  Arkivës së Shtetit, që hedhin dritë mbi ngjarjen.

Në këtë takim, morën pjesë studjues, përfaqësues të shoqatave të ish të përndjekurve politikë, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë dhe medias, dhe familjarë të viktimave.

Në fjalën e tij të hapjes, drejtori i ISKK-së, z.Çelo Hoxha, solli në vëmendje rëndësinë e kësaj ngjarjeje, si një nga më domethënëset për natyrën e kriminale të lidershipit komunist, që pa marrë pushtetin akoma, ekzekutoi pa gjyq dhjetëra persona të pafajshëm, që konsideroheshin kundërshtarë të regjimit apo thjesht një pengesë për instalimin e regjimit të ri. Kulmi i kësaj serie masakrash, qe ajo që ndryshe njihet si “Nata e Shën Bartolemeut”, që qe ekzekutimi pa gjyq e disa intelektualëve në bodrumin e hotelit “Bristol” natën e 12 nëntorit 1944.

“Siç e shihni, dokumentet e ekspozuar që janë materiale nga Arkivi i Shtetit, dëshmi komunistëve që morën pjesë në spastrimin e Tiranës, flasin vetë. Kur të lexoni materialin do të shikoni se është shprehur qartë se ushtria partizane hyri në Tiranë me qëllimin e qartë për të pastruar kryeqytetin nga elementët e konsideruar antikomunistë dhe kjo hakmarrje, nuk kurseu as jetën e pjesës më të mirë të intelektualëve”, u shpreh Hoxha.

Më tej, z Çelo Hoxha theksoi rëndësinë e pasqyrimit të këtyre momenteve historike në literaturën shkollore: “Këto mini-ekspozita, shërbejnë si një mundësi për të folur për të shkuarën, për të mos e harruar atë dhe për t’ua përcjellë brezave. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është në proces për ta futur historinë e komunizmit në kurrikulat shkollore, sepse deri më tani, 30 vite nga rënia e diktaturës, tekstet shkollore japin një variant të cunguar të historisë, sidomos lidhur me krimet e komunizmit”