Sugjerime mbi procedurën e dekorimeve
Lenda: Sugjerime mbi procedurën e dekorimeve
ILIR META
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
I nderuar Z. President,
Në emër të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri më lejoni të shpreh konsideratat për Ju dhe Institucionin Tuaj.
Në respektim të detyrave të përcaktuara në aktet ligjore, ISKK ngre një shqetësim mbi dekorimin e personave që përgjatë viteve të regjimit (1945-1990), kanë punuar dhe bashkëpunuar për ngritjen e regjimit komunist, dhe kanë qënë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse në kohën e atij regjimi. Një një numër rastesh dekorimi i këtyre personave është kundërshtuar publikisht me argumentin se janë dekoruar persona të cilët janë përgjegjës për krime politike. Rasti më i fundit i që nxiti kundërshtime publike ishte dekorimi i z. Mehdi Bushati, ish-zyrtar i Ministrisë së Brendshme, me dekoratën “Kalorësi i Flamurit”.
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, është një institucion publik, qëndror, i pavarur, gëzon statusin e personit juridik. Respekton dhe ndjek dispozitat e ligjit nr. 10 242, datë 25.2.2010 “ Për institutin e studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri”, i cili në objekt ka studimin dhe vlerësimin e periudhës së regjimit komunist, analizimin e shkaqeve dhe rrugët e vendosjes së këtij regjimi.
Një ndër detyrat e tij është evidentimi i personave , që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore të vëndit.
Theksojmë se, krimet politike të kryera gjatë regjimit komunist, Kuvendi i Shqipërisë i ka dënuar nëpërmjet parashkimeve në dispozitat e ligjit nr.7514, datë 30.09.1991, “Për pafajasinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, në dipozitat e ligjit nr. 7748, datë 29.07. 1993, “Për statusin e ish-të përndjekurve politikë dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist si dhe në dispozitat e ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.” si dhe në disa rezoluta si:
- Rezolutë për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, 30 tetor 2006.
- Rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohejn e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, 3 nëntor 2016.
Nisur nga sa më sipër, arsyetojmë se dekorimi i ish-funksionarëve të sistemit komunist, nga ana e Institucionit Tuaj, duhet të jetë edhe në respekt ligjeve të sipërcituara më sipër.
Konkretisht ligji nr. 10242, 25.02.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, në nenin 3 ka të përkufizuar si më poshtë:
- a) “Krimet e komunizmit” janë veprimet e kryera nga funksionarët e shtetit komunist në periudhën e komunizmit, të cilat kanë të bëjnë me konceptimin, përpunimin apo vënien në zbatim të masave represive, të shoqëruara me shkelje të tjera të të drejtave të njeriut ose me akte që përbëjnë gjenocid, krime kundër njerëzimit, si dhe krime kundër jetës dhe shëndetit të individit, në kuptim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të legjislacionit penal.
- b) “Funksionar i sistemit komunist” është funksionari publik ose personi që gëzonte mbrojtje të barabartë me atë të funksionarit publik, ku përfshihen, në mënyrë të veçantë, funksionarët shtetërorë dhe funksionarët e lartë partiakë.
- c) “Organet e diktaturës komuniste” janë organet që kanë vepruar gjatë periudhës së komunizmit dhe, konkretisht, ish-Sigurimi i Shtetit, organet e inteligjencës në ushtri, Ministria e Brendshme, Policia Popullore, forcat kufitare, repartet e ndjekjes në Ministrinë e Brendshme, si dhe personeli i burgjeve e i kampeve të internimit.
Në organe të diktaturës komuniste vlerësohen edhe pjesëmarrja dhe veprimtaria e njësive, strukturave dhe individëve të hetuesisë, prokurorisë e gjykatave, në shërbim të veprimtarisë së strukturave të përmendura në këtë paragraf.
ISKK në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore të cituara, i sugjerojmë Presidentit të Republikës që për periudhën e regjimit komunist (1945-1990), për personat të cilët me veprimet e tyre represioniste kanë ndikuar negativisht në jetën shoqërore dhe kulturore të vendit, me pasoja të pariparushme dhe që janë denoncuar publikisht, nuk mund t’i dekorojë, për faktin se vetëm atëherë do të respektohet objekti dhe parimet e ligjit 112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Mendojmë se dekorime të tilla mund të shmangen edhe bazuar në argumenta morale dhe jo vetëm profesionale, pra, duke e parë veprimtarinë e personit të propozuar më gjerë.
Është e rendësishme, t’ju vëmë në dijeni se ISKK, do të kërkojë pranë Ministrisë përgjegjëse dhe Kuvendit të Shqipërisë amendimin e Ligjit 112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet mbi këtë ligj do të të jenë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë rregullat mbi dënimin e krimeve politike gjatë regjimit komunizmit, ku në thelb do të jenë vendosja e kriterit për dekorimet, me qëllim për të ndihmuar në rritjen e frymës së pajtimit të shoqërisë, e përçarë nga lufta e klasave për dekada.
Shpresojmë që sugjerimi ynë të merret në konsideratë.
Me nderime
Kryatri i Bordit Drejtues
Uran Butka