25 shkurt, 2022
Me iniciativën e mësuesve të shkollës, maturantët e Shkollës së Mesme “Dhaskal Todri” në Elbasan, zhvilluan një takim me znj.Luljeta Lleshanaku, drejtore e Drejtorisë së Studimeve në Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, lidhur me pasqyrimin e historisë së komunizmit në literaturën e botuar pas rënies së regjimit, dhe veçanërisht në botimet e këtij Instituti. Drejtuesja e këtij takimi, znj.Merita Balliçi, mësuese në këtë shkollë dhe pedagoge në universitet, e hapi këtë takim duke sjellë në vemendje rëndësinë e njohjes së historisë, dhe letërsinë si projektim të historisë, duke përmendur ato vepra të cilat, para vlerave letrare, kanë së pari vlera dëshmuese, të tilla si “Rrno për me tregue”, vepra e mirënjohur e At Zef Pllumit.
Zonja Lleshanaku, fillimisht bëri një rezyme të punës së ISKK lidhur me projektet studimore, projektet e sensibilizimit publik, projektet e trashëgimisë materiale dhe botimet. “Por, prioritet i vitet e fundit për këtë Institut, theksoi ajo, është funksionalizimi i këtij informacioni të grumbulluar në vite, në shërbim të brezit të ri, duke provuar edhe qasje të reja. Në fund fare, njohja e krimeve të komunizmit dhe i sistemit totalitar në përgjithësi, edukon të rinjtë me ndjenjën e përgjegjësisë për fatet e vendit dhe me vlerat demokratike.”
Pastaj folësja shpjegoi me hollësi punën e ISKK në mbledhjen e dëshmive nga të mbijetuarit e burgjeve dhe kampeve të internimit, në formën e intervistimitt, ditareve, memuareve dhe artefakteve që përbëjnë një vlerë muzeale. “Falë këtyre dëshmive, kemi arritur të hedhim dritë mbi ngjarje për të cilat gjendet pak ose aspak dokumentacion zyrtar, dhe që janë shumë domethënese lidhur me natyrën mizore të regjimit. Dhe falë këtyre dëshmive, me metoda dixhitale kemi arritur të rindërtojmë edhe një pjesë të trashëgimisë materiale të kësaj periudhe, si kampe internimi dhe kampe pune, prej të cilave sot nuk ekziston asnjë gjurmë fizike.”- tha ajo.
Bisedë pasoi me një seancë dinamike pyetjesh dhe diskutimesh nga nxënësit maturantë, lidhur metodologjitë e përdorura nga Instituti për trajtimin e dëshmive dhe teksteve memuaristike, si edhe me perceptimin e paqartë të së shkuarës komuniste veçanërisht nga ky brez, për shkak të pamjaftueshmërisë së informimit.