21 korrik 2021

Ditën e mërkurë, me datë 21 korrik 2021, ora 10: 00, në sallën e Akademisë së Shkencave në Tiranë, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit organizoi prezantimin e librit “Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq”, me autor Denis Gilën. Libri, është një nga botimet e fundit të këtij Instituti, i konceptuar si dëshmi në formë interviste, dhe evokon përvojën e një gruaje që kthehet në viktimë të luftës së klasave që në moshë të mitur.

Në hapje të takimit, drejtori i ISKK z.Celo Hoxha, foli për rolin e pazëvendësueshëm dhe të pakufizuar në kohë të dëshmisë personale në denoncimin e krimeve të komunizmit një prej të cilëve është edhe ky botim, dhe mbi punën shumëvjeçare të këtij Institucioni në drejtim të krijimit të arkivës së dëshmive, por edhe të fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit, në të cilët evidentohet rasti i çdo individi, viktimë e padrejtësive të atij regjimi. Duke u ndalur tek libri, z.Hoxha tha se historia e Suzana Biçakut nuk është vetëm një histori vuajtjesh në një regjim absurd, por edhe një shembull i dinjitetit njerëzor, me mjaft interes sidomos për brezin e ri, dhe ISKK po punon për qasjen ndaj shkollave përmes projekteve të tilla. 

Autori i librit z.Denis Gila, tregoi përvojën e tij me zonjën Suzana Biçaku Maliqi për realizimin e këtij libri, duke evidentuar disa nga momentet më domethënëse të jetës së saj, nga  arrestimi i prindërve, përjashtimi në moshë të mitur nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, e deri tek sportistja e njohur, fituese e disa medaljeve. Sipas Gilës, përveç natyrës mizore të atij regjimi, kjo histori e respektuar mbijetese, zbulon edhe rolin e formimit familjar, forcën e karakterit, dhe fuqinë e individit për t’u ngritur mbi rrethanat.

Z.Heral Saraçi, duke depërtuar në brendësi të mendësisë komuniste, e trajtoi këtë ngjarje, për nga një perspektivë tjetër:  paradoksin që shumica e familjeve me kontribut patriotik në themelimin e shtetit shqiptar, u vunë në shënjestër të regjimit komunist.

Z.Valbona Çollaku, në fjalën e saj, solli edhe përvoja të tjera të ngjashme femërore, gra të njohura por edhe të panjohura, nëna dhe bashkëshorte, të cilat në heshtje përballuan peshën më të madhe të persekutimit politik në Shqipëri.

Prezantimi u zhvillua në një atmosferë disi të veçantë, i shoqëruar me përformanca muzikore të herëpashershme, nga miq dhe kolegë të protagonistes, ndër ta edhe të tenorit të njohur Izet Salihi.