30 qershor, 2021
Një nga eventet e fundit në Qendrën Rinore H.A.N.A, në Lezhë, ishte projeksioni i dokumentarit dhe muzeut virtual “Kampet e Punës së Maliqit”, realizim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK.
Drejtuesja e Qendrës, Besmira Lekaj, në hapje të aktivitetit tha se “Qendra H.A.N.A është krijuar që në gjenezë, ndër të tjera edhe për t’i shërbyer kujtesës së brezave të rinj rreth krimeve të diktaturës në vend në një regjim që e kanë vetë-quajtur “Komunizëm”, me një term që mbeti kurdoherë utopi pasi ajo çka ndodhi në të vërtetë nuk kishte lidhje me ideologjinë e komunizmit, por me terrorin e pushtetarëvë ndaj popullit të tyre. Qëndrimet e shoqërisë së sotshme shqiptare duket se mbrojnë tezen që kapitulli i para ’90’s është mbyllur një herë e mire, e megjithatë rinia mbetet pa asnjë lloj ekspozimi apo dijenie rreth të vërtetave të së kaluarës së errët të një sistemi jo fort të largët në kohë!”
Më pas, një nga të mbijetuarit e disa kampeve të punës së detyruar në komunizëm, zoti Gjergj Lekaj, foli mbi natyrën e këtyre kampeve, trajtimin mizor të të burgosurve politikë dhe për të gjithë ata personalitete që u shndërruan në viktimatë këtij terrori.
Pas shfaqjessë filmit, ideatorja dhe drejtuesja e projektit filmik në ISKK, Luljeta Lleshanaku, iu përgjigj të pranishmve lidhur me procesin e rikrijimit të tre kampeve përmes teknikave dixhitale, në kushtet e mungesës së gjurmëve fizike të këtyre kampeve dhe mungesës së dokumentacionit. Në fjalën e saj ajo vuri në dukje që ISKK, planifikon që në një mënyrë apo një tjetër, përmes produkteve të saj, botimeve, leksioneve dhe mjeteve didaktike, të bëhet bindshëm prezent në sistemin arsimor, atje ku edhe fillon njohja me historinë dhe ku edukohet përgjegjësia qytetare.