18 qershor, 2021
Të ftuar nga Qendra Rinore ATA në Kamëz, ditën e premte, me18 qershor 2021, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, para një audience rinore, shfaqi produksionin e tij të fundit dixhital “Muzetë e Kampeve të Maliqit”. Na hapjen e aktivitetit, drejtuesja e Qendrës ATA, Diana Malaj, vlerësoi punën e Institutit në mbajtjen gjallë të kujtesës mbi periudhën e errët komuniste, falë një pune kolosale kërkimore në kushtet e mungesës së dokumentacionit dhe në disavantazh kohor me ngjarjen, si edhe theksoi rëndësinë që ka njohja e kësaj historie veçanërisht nga të rinjtë. Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i ISKK, Çelo Hoxha, foli për punën e ISKK në përgjithësi, misionin dhe aktivitet me të cilat merret; për studimet e realizuara në vite, llojet e botimeve, qëllimin e tyre, aktivitetet sensibilizuese dhe edukuese, ku përfshihen edhe filmat dokumentarë për vendet e vuajtjes gjatë regjimit komunist.
Pas shfaqjes së filmit, drejtuesja e projektit Luljeta Lleshanaku iu përgjigj pyetjeve të të rinjve mbi dokumentarin e shfaqur, burimet e informacionit dhe teknikat dixhitale, rolin e dëshmisë në rikrijimin e ngjarjes dhe impaktin e projekteve filmike në informimin masiv. Aktiviteti u mbyll me një diskutim mes të pranishmëve mbi çështjen: a kemi dalë më të fortë si shoqëri prej kësaj përvoje të hidhur, mjaftueshëm për të mos e lejuar atë të përsëritet?