23 shkurt, 2022
Me datë 23 shkurt 2022, në sallën Antigonea, Hotel Rogner, Instituti i Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer në Tiranë, promovoi kolanën e botimeve të fundit, atyre të vitit 2021, që janë një seri botimesh të karakterit studimor, dokumentues, memuaristik, si dhe vepra të realizuara në kushte represioni politik gjatë viteve të diktaturës. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Ditët e kujtesës 2022”.
Sesionin e hapi z.Çelo Hoxha, drejor ekzekutiv i ISKK, i cili fillimisht bëri një rezyme të të gjithë botimeve, të përzgjedhura në përputhje me politikat e botimeve që ka ky Institut lidhur me rëndësinë dokumentuese, peshën akademike por edhe me sensibilizimin publik, duke falenderuar edhe studjuesit dhe bashkëpunëtorët që kontribuan në realizimin etyre. Më tej, si drejtues i grupit të punës për hartimin e “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”, ai prezantoi në një formë më të zgjeruar numrin e radhës së kësaj serie.
Drejtorja e Studimeve, znj.Luljeta Lleshanaku, prezantoi studimin “Dokumente mbi cënimin e pronës në periudhën komuniste (1944-1946)“, të studjuesit Alvin Saraçi, i cili është botimi i dytë që ky Institut realizon për çështje të mirëfillta që analizojnë bazat dhe funksionimin e ekonomisë në socializëm. Librin “Jeta e një fëmije ‘kulak’ në diktaturë” të Ilmi Plakës, e prezantoi gazetarja Luljeta Progni, redaktore e këtij botimi autobiografik, si dhe vetë autori. Librin “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar” të Kaso Hoxhës, e prezantoi redaktorja e botimeve në ISKK, znj.Violeta Murati. Ndërsa mbi historinë e romanit memuaristik “Arratisja” të Ylli Tabakut, foli e ndjera e autorit.
Monografia “Nikollë Dakaj, mes përkthimit të antikes dhe përndjekjes” u prezantua nga autori i saj, studjuesi Leka Ndoja. “Aktet e konferencës shkencore’Ligjshmëria në regjimin komunist 1944-1990’” dhe numrin e parë të revistës studimore “Memoria”, organ periodik i ISKK, u prezantuan nga Drejtorja e Arkivës, znj. Armanda Hysa.
Volumi i VII-të i serisë “Zërat e Kujtesës” , u prezantua nga Luljeta Lleshanaku, që është edhe autore e intervistave-dëshmi. Ndërsa z.Celo Hoxha, prezantoi edhe përmbledhjen me skica memuaristike “Mollat e Vjetit të Ri”, të Filip Guraziut dhe “Fjalori i shtjelluem i gjuhës shqipe III” të At Benedikt Dema, që është një nga veprat me natyrë shkencore, e cila pa për herë të parë dritën e botimit.
Aktiviteti u ndoq dhe u pasqyrua gjërësisht në media.