Uran BUTKA

Ky botim, është një studim që hedh dritë mbi lëvizjet e para antikomuniste që lindën si një reagim i drejtpërdrejtë popullor kundër valës së çmendur të arrestimeve, pushkatimeve, burgimeve e internimeve masive, sekuestrimeve të pronës e të pasurisë private, dhunimit të besimit fetar, çarmatimit të dhunshëm, diskriminimit politik e krahinor dhe luftës së klasave, por edhe për shkak të gjendjes së mjeruar ekonomike të popullsisë.

Libri argumenton se si gjitha këto veprime politike dhe ushtarake të pushtetit ishin të paligjshme, pasi nuk ishin zhvilluar ende zgjedhjet politike për t’i dhënë legjitimitet këtij pushteti; nuk ishte miratuar ende ligji themeltar i shtetit, nuk kishte ende ligje të veçanta që të rregullonin jetën apo të justifikonin veprime të tilla arbitrare që binin ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare, ku Shqipëria kishte aderuar qysh në vitin 1923. Më konkretisht, libri pasqyron tre prej këtyre kryëngritjeve: Kryengritjen e Malësisë së Madhe, Kryengritjen e Postribës dhe Lëvizjen e Zhapokikës.

Studimi krijon një panoramë të plotë organike me një koherencë e kronologji të mbështetur në raporte të hollësishme, radiograme, proces-verbale e shënime, lista e balance të plagosurish e të vrarësh me emra e mbiemra, me dëshmi të shumta arkivore apo gojore, duke rindërtuar një realitet të panjohur në përmasën e tij.

Në fund, ky studim i jep përgjigje njërës nga pyetjet më të rëndësishme mbi përgjegjësinë historike: nëse i rezistuan shqiptarët komunizmit apo jo, dhe me çfarë kostoje?