10 Dhjetor, 2021
Me nismën dhe mbështetjen e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, u bë i mundur realizimi i një ekspozite me punime të zotit Lek Tasi, e cila u inaugurua me datë 10 dhjetor 2021 në Galerinë “Zenit” në Tiranë.
Ky koleksion i zotit Lekë Tasi, me skica, portrete, pejzazhe që publikohen për herë të parë, mund të konsiderohet si ditari vizual i 15 viteve të tij të internimit (1975-1990) në fshatin Grabjan të Lushnjes, vite të cilat, ai i përshkruan me mjeshtëri në librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”.
Janë një seri punimesh të realizuara në kushte të pazakonta gjatë mbrëmjeve në barakë në kampin e internimit, pas ditëve të stërmundimshme të punës në kushtet e shtypjes dhe izolimit ekstrem, me qëllimin e vetëm, për të dëshmuar një histori padrejtësie, një nga të shumtat e asaj epoke, dhe përmes saj, për t’i dhënë ndoshta një kuptim vetë ekzistencës së tij në rrethana kaq absurde.
Autori shprehet: “…Kur e gjeta veten të internuar në Tetor të 75-ës, i detyruar të bëj ciklin mes shatës e lopatës dhe dyqanit e pyllit për ushqim dhe dru zjarri, më mbetej vetëm mbrëmja për të bërë diçka për veten. Televizioni dhe leximi nuk mjaftonin. Sado i lodhur, duhet të zgjidhja mes bllokut e lapsit para meje dhe dritave të ekranit që më joshnin anash. E ndjeja detyrë ndaj vetes, të zgjidhja bllokun para meje!”
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, morën pjesë artistë, bashkëvuajtës të autorit, përfaqësues të shoqërisë civile, medias, etj. Në fjalën e tij të hapjes, kuratori i ekspozitës zoti Krenar Zejno, evidentoi kuntributin e madh të ISKK në zbardhjen e historisë së komunizmit, duke u ndalur pastaj në forcën dhe veçoritë artistike, me të cilat e përcjell mesazhin kjo ekspozitë. Zoti Celo Hoxha, drejtor i ISKK, theksoi humanizmin në veprat e autorit, mungesën e gjuhës së urrejtjes, çka përcakton jo vetëm mbijetesën e tij morale, por e shtrin impaktin e kësaj vepre përtej dëshmisë së krimeve të komunizmit. Ndërsa, autori Lekë Tasi, duke folur për kushtet në të cilat janë realizuar këto punime dhe për perceptimin e saj, tha: “kanë qenë punë spontane; syri sheh në nën-ndërgjegje dhe dora e gjesti bëjnë punën e vet me eksponentët e luftës së klasave dhe viktimat e saj, sa kanë rezistuar dhe sa janë nënshtruar… Mund të nxjerrim një konkluzion, për të kuptuar shkakun e shkaqeve. Kjo është puna e dekomunistizimit: të kuptuarit.”
Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur deri më 25 Dhjetor 2021.