21 – 23 shkurt, 2022

Në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” ISKK, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe IDMC, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, hapën ekspozitën “Fytyrat e Diktaturës”. Kjo ekspozitë erdhi si një reflektim mbi ata individë që mbajnë përgjegjësi direkte për instalimin dhe mirëfunksionimin e mekanizmave që mbanin të ngritur regjimin komunist duke përdorur si forma të vetme represionin, përndjekjen, dhunën dhe terrorin. Rënia e diktaturës në vendin tonë nuk u pasua me një hetim të krimeve të kryera, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të genocidit komunist. 

Në murin e kësaj ekspozite u vendosën foto të atyre personave, të cilët mbajnë përgjegjësi për vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të individit dhe represionin e ushtruar nga regjimi komunist. Kategoritë që përfshihen në këtë ekspozitë, janë: anëtarët e Byrosë Politike (si organi më i lartë ekzekutiv i PPSH-së), drejtorët e armës së Sigurimit të Shtetit (kryesisht të asaj që më pas njihet si Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit), gjyqtarë, prokurorë, hetues, kryetarë degëve të punëve të brendshme, oficerë sigurimi, komandantë e komisarë burgjesh e kampesh.

Ekspozita u hap në ish-vilën e diktatorit Hoxha, me një ceremoni që u zhvillua 21 shkurt 2022, për shkak të fuqisë së tij simbolike si vendi ku merrte jetë i gjithë regjimi i terrorit të ushtruar nga instancat e këtij shteti diktatorial. Kjo ekspozitë qëndroi e hapur nga data 21 deri më 23 shkurt.