12 korrik – 21 korrik 2022

Në datë 12 korrik, ora 19.00 Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, në ambjentet e tij të brendshme, hapi ekspozitën përkujtimore “45 vite nga ekzekutimi i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka”. Në bashkëpunim me familjen, zotin Bedri Blloshmi, ekspozita solli para publikut të gjerë disa fotografi dhe dokumente mbi jetën dhe veprimtarinë e poetëve.

Po ashtu, veçantia e kësaj ngjarjeje përkujtimore ishte edhe ekspozimi i disa sendeve orgjinale të Vilsonit dhe Gencit, si: ora, dy stilolapsë, shalli dhe disa letra orgjinale. Kulmin e vet ekspozita e pati me paraqitjen për herë të parë të plumbit të gjetur në trupat e pajetë të dy poetëve, gjatë procesit të zhvarrimit në vitin 1994, e ruajtur me mjaft kujdes nga familja.

Ekzekutimi i tyre simbolizon krimin sistematik të diktaturës komuniste mbi fjalën, mendimin dhe artin. Procesi ndaj dy poetëve nisi në maj të vitit 1975 dhe në të u përfshinë 39 persona. Pas përfundimit të procesit intelektualët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, u dënuan me ekzekutim në vitin 1977.  Gjykata e Lartë nuk e hodhi poshtë këtë vendim dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e pranoi kërkesën për faljen e jetës së poetëve. Pas kërkimeve disa vjeçare, vendi i ekzekutimit të tyre u zbulua nga z. Bedri Blloshmi në pranverën e vitit 1994. Në prill 1994 eshtrat e tyre u varrosën me të gjitha nderimet në varrezat e qytetit të Librazhdit. Ekspozita u përgatit nga zv/drejtoresha Armanda Hysa dhe studiuesja e Drejtorisë së Studimeve, Brisejda Lala.

 Armanda Hysa: “U është dashur një periudhë e gjatë për të gjendur trupin, derisa në prill të vitit 1994, Bedri Blloshmi arriti ta lokalizojë vendin, pranë përroit të Firarit, në një vend shumë të vështirë për t’u arritur. Pjesë e dosjes formulare të poetit Blloshmi është ditari në frëngjisht, të cilin, ia sekusteruan bashkë me sendet personale dhe literaturën pas arrestimit, për të vërtetëtuar që mbante literaturë të huaj të ndaluar. Kjo ishte pjesë e akuzës për propagandë. Edhe për poetin Genc Leka është lista e librave të ndaluar që i kanë gjetur. Ndërsa dokumentet e procesit janë bashkë, sepse ishin pjesë e të njëjtit grup”.

 Bedri Blloshmi: Materialet dhe dorëshkrimet, poezitë dhe krijimtaritë e Vilsonit, por edhe të Gencit duhet të futen në shkollë dhe të bëhen mësim.  Të rihapet gjyqi për ata që firmosën vdekjen e Vilsonit dhe që shtëpia e familjes së tyre në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit të kthehet në muze dhe të mos rrënohet.

 Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm të vizitorëve, ekspozita me sendet origjinale dhe dokumentet e përndjekjes së dy poetëve, u mbajt e hapur për dy javë, nga 12 korrik – 21 korrik 2022. Ekspozita ka pasur vëmendje të veçantë nga ish të përndjekurit politikë, studentë, njerëz të kulturës, po ashtu, edhe politikanë.