9 qershor 2022
Më 9 qershor 2022, u zhvillua konferenca shkencore “Qasje mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1944-1990”, organizuar nga Instituti i Historisë, Tiranë, me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), Tiranë. Në këtë konferencë morën pjesë dhe studiues nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.
Drejtori ekzekutiv i ISKK, Dr. Çelo Hoxha, prezantoi temën “Çështje të ligjshmërisë së pushtetit gjatë regjimit komunit në Shqipëri.” Fokusi i trajtesës së z. Hoxha ishte ligjshmëria e pushtetit të PKSH/PPSH, duke iu referuar pushtetit si koncept juridik. Ai bëri një parashtrim të kornizës ligjore për organizimin e pushtetit gjatë regjimit komunist, bazuar në kushtetutat e krijuara nga vetë regjimi, gjatë periudhës 1945-1990. Bazuar në dokumentet ligjore, sipas tij, institucionet e pushtetit në Shqipëri ishin përcaktuar në kushtetutë, dhe PKSH/PPSH nuk ishte një nga këto institucione.
Organet e pushtetit, gjithmonë sipas dokumenteve ligjore, ndërroheshin një herë në katër vjet me anë të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin Popullur dhe zgjedhjeve për këshillat popullore. PKSH/PPSH nuk u shfaq asnjëherë si subjekt elektoral, që, për rrjedhojë, të merrte dhe kontrollin e organeve të pushtetit në mënyrë të ligjshme.
Bazuar në ligjin për zgjedhjet, i cili ndryshoi disa herë gjatë regjimit komunist, një gjë mbeti e pandryshuar: forma para partiake e ligjit. Pra, ligji nuk parashikonte subjekte elektorale partiake, për rrjedhojë partitë politike nuk mund të futeshin në garë për marrjen e pushtetit.
Në vitin 1945, kandidatët për në Kuvendin Popullor regjistroheshin në formë individuale, mjafton të dorëzonin pranë komisioneve përkatëse firmat e një numri të caktuar votuesish.
Më vonë, regjistrimi i kandidatëve bëhej nga organizata të ndryshme, degë të Frontit Demokratik, organizatës së gruas apo rinisë, nga shoqata sportive e kulturore, të cilat nuk ishin subjekte elektorale. Ato kishin të drejtë të propozonin kandidatë në zonat e tyre, duke luajtur rolin e votuesve që jepnin firmat për regjistrimin e deputetëve.
Si përfundim, PKSH/PPSH ishte organi kryesor i pushtetit në Shqipëri në periudhën 1945-1990, por mënyra e zotërimit dhe ushtrimit të tij, ishte, sipas z. Hoxha, e paligjshme.
Duke qenë se kushtetuta ishte ligji themelor i regjimit komunist, në të cilin ishte përcaktuar hierarkia e institucioneve, qenia e PKSH/PPSH mbi institucionet kushtetuese ishte realisht përmbysje e rendit kushtetues, vepër penale e përkufizuar nga ligjet penale.